Rogova-Gaxha: “Rilindja”, trashëgimi që rikthehet në vëmendjen e publikut
K. K. / RTKlive
Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në orën 17:00, do të nisë edicioni i 23-të i Javës së Bibliotekës, i cili do të zgjasë deri më 2 tetor. Tema e këtij edicioni është “Rilindja, zëra në kujtesë: trashëgimia e shtypit në kujtesën kulturore”, duke vënë në pah rëndësinë e gazetës dhe shtëpisë botuese “Rilindja” në jetën kulturore dhe letrare të Kosovës.
Në kuadër të këtij edicioni, për herë të parë në Prishtinë po mbahet edhe konferenca e drejtorëve të bibliotekave kombëtare të Evropës Juglindore, ku përfaqësues të institucioneve bibliotekare nga rajoni do të shkëmbejnë përvoja dhe do të diskutojnë për sfidat e transformimit të bibliotekave.
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova-Gaxha, në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, tha se konferenca synon të nxisë bashkëpunimin ndërmjet bibliotekave, veçanërisht në përballjen me zhvillimet teknologjike dhe integrimin e inteligjencës artificiale në shërbimet bibliotekare.
Ajo theksoi se bibliotekat e rajonit përballen me sfida të ngjashme dhe se shkëmbimi i përvojave është një mundësi për të avancuar shërbimet dhe për të përmirësuar qasjen e lexuesve në informacion.
“Bibliotekat sot po përballen me nevojat për transformime të ndryshme për shkak të zhvillimeve të teknologjisë. Nëse çdo bibliotekë kërkohet ndryshim dhe transformim, më mirë mund ta bëjmë bashkë sesa vetëm”, u shpreh Rogova-Gaxha.
Duke folur për rëndësinë e promovimit të leximit, ajo vlerësoi se një nga sfidat kryesore të kohës është afrimi i të rinjve me librin, në një periudhë kur informacioni digjital dhe përmbajtjet vizuale zënë një pjesë të madhe të përditshmërisë.
Sipas saj, bibliotekat duhet të organizojnë më shumë aktivitete kulturore, festivale letrare dhe ngjarje që i afrojnë grupmoshat e ndryshme me librin.
“Duhet të punojmë që t'u japim arsye të rinjve për ta dashur librin”, tha ajo.
Sa i përket programit të Javës së Bibliotekës, Rogova-Gaxha bëri me dije se këtë vit vëmendje e veçantë i kushtohet trashëgimisë së “Rilindjes”, e cila, sipas saj, përbën një nga themelet e zhvillimit kulturor në Kosovë.
Ajo përmendi botimin e gazetës “Rilindja”, revistës “Jeta e Re” dhe veprat e para letrare të autorëve kosovarë, duke theksuar se Biblioteka Kombëtare ka punuar për muaj të tërë për ta rikthyer këtë trashëgimi në vëmendjen e publikut.
Gjatë javës do të organizohen ekspozita, panele diskutimi, aktivitete për fëmijë dhe një simpozium me tema të ndryshme që lidhen me historinë dhe kontributin e “Rilindjes”. Ndër ekspozitat e veçanta janë ato kushtuar gazetës “Rilindja”, arkivit të saj filmik dhe personazhit të njohur të stripit kosovar, Tafë Kusuri.























