Nis gjykimi ndaj 21 të akuzuarve për dëbimin e civilëve
Donika Sherifi /RTK
Pas dy dështimeve, në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur gjykimi, në mungesë, ndaj 21 të akuzuarve për krime lufte gjatë vitit 1999. Ata akuzohen se, përmes forcave nën komandën dhe kontrollin e tyre, kanë marrë pjesë në një fushatë të dhunshme që rezultoi me dëbimin e mbi 860 mijë civilëve shqiptarë nga Kosova.
Fillimisht, seanca nisi me një orë vonesë, pasi njëra nga avokatet, Albana Zogiani, nuk erdhi në kohë në seancë. Për këtë, gjykata e dënoi me 1 mijë euro gjobë. Pas kësaj, të gjithë avokatët e angazhuar nga Oda e Avokatëve për t'i mbrojtur të akuzuarit u pajtuan se janë krijuar të gjitha kushtet për nisjen e këtij procesi gjyqësor.
Gjykatësja Medie Bytyçi tha se gjykata ka bërë të gjitha përpjekjet ligjore për sigurimin e të akuzuarve. Por, meqë prania e tyre është pamundësuar, janë plotësuar kushtet për zhvillimin e gjykimit në mungesë.
Ndërkaq, prokurori Atdhe Dema, gjatë leximit të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale, tha se disa nga të akuzuarit dyshohet se tashmë kanë vdekur.
“Prokuroria Speciale pas tre vitesh hetim ka dorëzuar në gjykatë përmbajtjen e shqyrtimit gjyqësor në mungesë. Katër prej tyre figuron që kanë ndërruar jetë”, tha ai.
Sipas aktakuzës, 21 të akuzuarit dyshohen se gjatë muajve janar-qershor të vitit 1999, gjatë luftës në Kosovë, kanë ushtruar autoritet dhe kontroll efektiv mbi forcat që vepronin nën përgjegjësinë e tyre.
Në aktakuzë thuhet se ata kishin njohuri të mjaftueshme se në forcat nën komandën ose kontrollin e tyre po kryheshin veprime që përfshinin shkatërrimin e pronës, djegien e shtëpive dhe objekteve të infrastrukturës civile, përndjekjen dhe ndalimin arbitrar të personave mbi baza etnike.























