29 vjet nga protestat studentore| VIDEO
BKT
Lajme

29 vjet nga protestat studentore| VIDEO

Valjete Shala / RTK

1 Tetori i vitit 1997 ishte një nga datat kur mori kthesë historia e Kosovës. Në këtë ditë, mijëra studentë shqiptarë kërkuan lirimin e hapësirave të Universitetit të Prishtinës.

Në këtë datë historike nisën protestat studentore, në të cilat studentët u ngritën njëzëri kundër regjimit serb të asaj kohe, i cili po mbyllte shkollat dhe universitetet.

Protesta paqësore, përmes së cilës kërkohej e drejta për të zhvilluar mësimin në gjuhën shqipe, u përball me dhunë nga forcat serbe.

Kjo datë mbetet një nga momentet e rëndësishme të historisë së Kosovës, duke u shndërruar në simbol të guximit dhe rezistencës së një brezi që kërkonte të drejtat e tij.

Protestat erdhën pas një periudhe të gjatë shtypjeje, ndërsa më vonë ato u bënë pjesë e zhvillimeve që i paraprinë ngjarjeve të viteve 1998–1999 për liri dhe pavarësi.

Në 29-vjetorin e protestave u nderua edhe rektori historik, Ejup Statovci, i cili ishte në ballë të këtyre zhvillimeve. Në mesin e pjesëmarrësve dhe bashkëpunëtorëve të asaj kohe ishin edhe Bujar Dugolli, Driton Lajqi, Muhamet Mavraj dhe Albin Kurti, tashmë kryeministër i Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vendosi kurora me lule të freskëta dhe bëri homazhe te varri i Statovcit.

Duke kujtuar 1 Tetorin e vitit 1997, Kurti tha se atë ditë u thye heshtja nën okupim, u shpartallua pasiviteti që ekzistonte dhe i gjithë populli u bë bashkë me studentët, të cilët e shndërruan rezistencën në aktive dhe i dhanë një dinamikë të re politikës në Kosovë.

Duke kujtuar kontributin e profesor Statovcit, kryeministri Kurti tha se kur ai e kishte rifilluar Universitetin, e kishte pasur edhe më të vështirë sesa dy dekada më parë, kur ishte themeluar Universiteti i Prishtinës.

Ndërkaq, Driton Lajqi, pjesëmarrës dhe organizator i protestave studentore të 1 Tetorit 1997, ka rrëfyer për përgjegjësinë që kishin marrë studentët e asaj kohe për organizimin e protestave, në rrethana të vështira politike dhe nën një regjim që ushtronte dhunë të vazhdueshme ndaj shqiptarëve.

“Gjithmonë e kam atë që sakrifica dhe përgjegjësia bëhen bashkë. Përgjegjësia që kishim marrë për të lëvizur nga vendi, për gjeneratën e re”, tha Driton Lajqi, pjesëmarrës dhe organizator.

Ai kujtoi se përgatitjet për organizimin e protestave kishin zgjatur rreth gjashtë muaj, ndërsa dita e 1 Tetorit 1997 ishte njëkohësisht ditë madhështore dhe festive për studentët, pavarësisht rrezikut që u kanosej.


MË SHUME NGA Lajme