Komisioni për Legjislacion nesër shqyrton Projektligjin për Specialen
RTKlive
Nesër nga ora 08:00 do të mblidhet Komisioni për Legjislacion, i cili në rend të ditës do të ketë shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komisionit për Legjislacion, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, përmes një postimi në Facebook.
“Të hënën, më 5 tetor 2026, në ora 08:00, në sallën N-10, do të mbahet mbledhja e Komisionit për Legjislacion. Në rend të ditës është shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pas ngarkimit të Komisionit me shqyrtimin e tij. Mbledhja do t’i kushtohet shqyrtimit të Projektligjit dhe aspekteve të tij juridike, në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe procedurat e Kuvendit. Ftohen deputetët dhe mediat që të marrin pjesë në këtë mbledhje!”, ka shkruar Qorrolli në Facebook.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që nesër nga ora 09:00 të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës, ku në mesin e pikave të rendit të ditës pritet të jetë edhe ky projektligj.























