Kori i Filharmonisë së Kosovës hapi mbrëmë sezonin nën drejtimin e Marion Wood
BKT
Foto: Arben Llapashtica
Kulturë

Kori i Filharmonisë së Kosovës hapi mbrëmë sezonin nën drejtimin e Marion Wood

G.K/RTKlive

Kori i Filharmonisë së Kosovës hapi mbrëmë sezonin me koncertin nën drejtimin e dirigjentes Marion Wood, në Kishën Katolike “Shën Ndou”.

Sipas Filharmonisë së Kosovës, koncerti u hap me veprën “Move Him into the Sun”, të kompozuar nga dirigjentja Wood.

Vepra ishte shkruar fillimisht në vitin 2007, e porositur për një shërbesë kushtuar Ditës së Armëpushimit në Kapelën e Universitetit të Exeter-it, ndërsa gjatë viteve në vijim ishte zgjeruar si pasojë e ndryshimeve të peizazhit politik botëror.

Njëqind vjet pas Luftës së Parë Botërore, kompozitorja iu rikthye veprës dhe kërkoi tekste të tjera për zgjerimin e saj, ndërsa në formën e plotë ajo u interpretua për herë të parë në vitin 2018.

Pjesa e dytë e koncertit iu kushtua kantatës “Flijimi” – Sakrifica e Ifigjenisë, të kompozitorit Rafet Rudi, bazuar në veprën “Ifigjenia në Aulidë” të Euripidit, me pjesëmarrjen e mjeshtrit Vendim Kapaj.

E kompozuar në vitin 1983, fillimisht si muzikë skenike për tragjedinë e Euripidit “Flijimi në Aulidë”, vepra më vonë u formësua si vepër vokalo-instrumentale dhe u interpretua në shumë festivale të rëndësishme të muzikës moderne të kohës.

“Publiku i pranishëm në Kishën Katolike ‘Shën Ndou’ ishte dëshmitar i një prezantimi dinjitoz të Korit të Filharmonisë së Kosovës, i cili vazhdon të dëshmojë nivelin e lartë artistik të një prej ansambleve korale më të dalluara në rajon dhe më gjerë”, thuhet në njoftimin e Filharmonisë së Kosovës.

Koncerti i radhës i Filharmonisë së Kosovës do të mbahet më 10 tetor 2026, në orën 19:30, në Atelienë e Pallatit të Rinisë, nën drejtimin e mjeshtrit polak Wojciech Czepiel.


MË SHUME NGA Kulturë