Fetoshi: Mungesa e unitetit politik është fotografia që nuk i duhet Kosovës
BKT
Lajme

Fetoshi: Mungesa e unitetit politik është fotografia që nuk i duhet Kosovës

K. K. / RTKlive

Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka kritikuar klasën politike për mungesën e unitetit dhe mënyrën e komunikimit gjatë zhvillimeve të fundit politike në vend.

Në RTK Prime, Fetoshi ka thënë se oferta e kryeministrit Albin Kurti për çështjen e presidentit mund të konsiderohet si një mundësi, por sipas tij, ishte e pritshme që situata të përfundonte në këtë mënyrë.

“Oferta e Kurtit mund të konsiderohet si ndoshta hapje e vogël dere për mundësi, ne ishim të vetëdijshëm që kështu do të përfundonte. Por ajo që ka ndodhur gjatë ditës së sotme është fotografia që nuk i duhet Kosovës”, ka thënë Fetoshi.

Ai e ka cilësuar për kritikë komunikimin e liderëve politikë përmes konferencave për media, duke theksuar mungesën e unitetit politik.

“Është për çdo kritikë komunikimi i liderëve politikë nëpërmjet konferencave me gazetarë. Është mungesa absolute e asaj për të cilën Kosova sot ka më së shumti nevojë: uniteti politik”, është shprehur ai.

Fetoshi ka thënë se është dëshpëruese që pas konsensusit të arritur nga partitë politike lidhur me vendimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot po dëshmohet e kundërta.

Sipas tij, Kosova po përballet me kriza të mbivendosura, duke përfshirë krizën institucionale pas zgjedhjeve të qershorit, reagimet ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara dhe tash edhe dështimin për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve të parakohshme.

Fetoshi ka paralajmëruar edhe për tensionin në rritje ndërmjet qytetarëve, institucioneve dhe klasës politike.

Ai ka bërë thirrje për komunikim më të hapur lidhur me, siç ka thënë, kërcënimet potenciale për Republikën e Kosovës.

“Beteja e apelit është beteja që do të duhej të na bënte bashkë, të udhëhequr nga shteti, me qëllim që të mbrohet e vërteta dhe e drejta e luftës tonë çlirimtare”, ka deklaruar Fetoshi.

Sipas tij, një krizë e re politike mund të ketë pasoja për stabilitetin dhe sigurinë e vendit, por edhe të shkaktojë vonesa në adresimin e duhur të procesit të apelit në Hagë.


MË SHUME NGA Lajme