Reuters: Kosova zgjodhi presidenten e re, shmangu zgjedhjet e parakohshme
N.M. /RTKlive
Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur ekonomisten Justina Shiroka-Pula presidente të re të Kosovës, në orët e para të së mërkurës, duke shmangur mbajtjen e zgjedhjeve të tjera të parakohshme parlamentare.
Shiroka-Pula mori 81 vota në Kuvendin prej 120 deputetësh, një votë më shumë se numri i nevojshëm. Dështimi për zgjedhjen e presidentit të ri do të çonte në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Ky mandat nuk i përket vetëm një personi. Ai u përket qytetarëve tanë... Unë do të jem presidente e të gjithë qytetarëve”, ka thënë Shiroka-Pula pas votimit.
Sipas Reuters zgjedhja e saj erdhi pas një marrëveshjeje mes partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje të kryeministrit Albin Kurti, dhe Partisë Demokratike të Kosovës për kufizimin e kompetencave të gjykatës për krime lufte në Hagë.
Presidentja e re, e lindur në vitin 1953, është presidente e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe profesoreshë e ekonomisë. Ajo ka shërbyer si ministre e Ekonomisë nga viti 2008 deri më 2011.
Reuters thekson se presidenca në Kosovë është kryesisht post ceremonial, por zgjedhja e presidentit ka qenë shpesh burim i paqëndrueshmërisë politike, pasi për zgjedhjen e tij kërkohet shumicë prej dy të tretash në Kuvend.























