Policia identifikon shoferin që voziti 135 km/h në zonën e kufizuar në 40 km/h
M.Sh/RTKLive
Policia e Kosovës ka identifikuar shoferin që po drejtonte automjetin me 135 kilometra në orë në një zonë në Pozheran të Vitisë, ku shpejtësia e lejuar ishte 40 km/h.
Rasti është evidentuar nga zyrtarët policorë të Nënstacionit Policor në Pozheran, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, pasi një video-incizim ishte publikuar në rrjetet sociale.
Sipas Policisë, në video shihej automjeti duke lëvizur me shpejtësi prej 135 km/h, në një zonë ku me shenjë trafiku shpejtësia ishte e kufizuar në 40 km/h.
Pas identifikimit të shoferit, ndaj tij janë ndërmarrë masat ligjore në përputhje me dispozitat në fuqi.
Shoferi është gjobitur me 400 euro, i janë shqiptuar katër pikë negative, ndërsa i është vendosur edhe masa mbrojtëse e ndalimit të përkohshëm të drejtimit të mjeteve motorike për nëntë muaj.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u ka bërë apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe shenjat e trafikut.
Policia ka paralajmëruar se tejkalimi i shpejtësisë së lejuar dhe mosrespektimi i rregullave të trafikut rrezikojnë drejtpërdrejt jetën dhe sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në trafik.























