36 vjet nga themelimi i partisë së parë shqiptare pluraliste në Luginë
M.Sh/RTKLive
Partia për Veprim Demokratik (PVD), partia e parë shqiptare pluraliste në Luginën e Preshevës, shënon sot 36-vjetorin e themelimit në Bujanoc.
E themeluar nga të rinjtë shqiptarë të asaj që njihet si Kosova Lindore, PVD ka qenë pjesë e rrugëtimit politik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës për më shumë se tri dekada.
Me rastin e këtij përvjetori, kryetari i PVD-së, Shaip Kamberi, ka kujtuar rrugën 36-vjeçare të partisë, duke theksuar përkushtimin, sakrificën dhe qëndresën politike në mbrojtje të të drejtave dhe dinjitetit të shqiptarëve.
Në një mesazh drejtuar anëtarëve, veprimtarëve dhe simpatizantëve të partisë, Kamberi ka thënë se 36 vjet nuk përfaqësojnë vetëm një përvjetor, por një histori të ndërtuar nga njerëz që besuan se të drejtat dhe e ardhmja e shqiptarëve duhet të mbrohen përmes përfaqësimit politik.
Ai e ka cilësuar PVD-në si më shumë se një subjekt politik, duke e përshkruar atë si një shtëpi të përbashkët dhe një histori të ndërtuar ndër vite.
Kamberi ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në themelimin dhe veprimtarinë e partisë, për ata që qëndruan në periudhat e vështira, si dhe për brezat e rinj që po e bartin këtë përgjegjësi drejt së ardhmes.
Me këtë rast, ai ka ftuar anëtarët, veprimtarët dhe simpatizantët që 36-vjetorin ta festojnë së bashku në një koktej përvjetor.
“36 vjet histori nuk i përkasin vetëm së kaluarës. Ato janë edhe përgjegjësia dhe shpresa jonë për të ardhmen”, ka shkruar Kamberi.
Përvjetori shënon një moment kujtese për historinë e PVD-së dhe angazhimin e saj politik në Luginën e Preshevës.























