Berishaj mori pjesë në hapjen e Ditëve të Arkivit Shtetëror Kroat
RTKlive
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë, dr. Martin Berishaj, mori pjesë në hapjen solemne të Ditëve të Arkivit Shtetëror Kroat (HDA) dhe të ekspozitës “Një shekull i studimeve teknike: nga vizioni te rrjeti i fakulteteve”, me autore Diana Mikšić dhe Monika Gusić.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe Mentor Tahiri dhe Senada Dushi, këshilltarë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Zagreb.
Në fjalën e rastit, drejtori i Arkivit Shtetëror Kroat, dr. sc. Dinko Čutura, theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje për të kujtuar dhe paraqitur zhvillimin e arsimit teknik në Kroaci. Ai vuri në pah vlerën e ekspozitës, e cila dokumenton rrugëtimin nga vizionet dhe idetë e para deri te krijimi i një rrjeti fakultetesh teknike, si dhe kontributin e këtyre institucioneve në zhvillimin shkencor, teknologjik dhe shoqëror të vendit.
Përmes dokumenteve, materialeve arkivore dhe përmbajtjeve të përgatitura për ekspozitën, vizitorët mund të njihen me një histori që dëshmon se si idetë dhe përkushtimi institucional mund të shndërrohen në një sistem arsimor me ndikim të gjerë. Studimet teknike dhe zhvillimi i fakulteteve kanë qenë pjesë e rëndësishme e përparimit të Kroacisë, duke formuar breza ekspertësh dhe duke ndikuar në zhvillimin shkencor, ekonomik dhe shoqëror të vendit.
Programi i Ditëve të HDA-së përfshin ekspozitë, ligjërata, biseda profesionale, demonstrime, program filmik dhe një ditë të veçantë për fëmijët. Kjo qasje e larmishme e bën historinë e arsimit teknik të qasshme për publikun e gjerë dhe krijon hapësirë për shkëmbimin e njohurive ndërmjet ekspertëve, studiuesve, studentëve dhe brezave të rinj.
Ambasada e Republikës së Kosovës e vlerëson rëndësinë e institucioneve arkivore dhe akademike në ruajtjen e kujtesës, dokumentimin e zhvillimit shoqëror dhe përcjelljen e dijes te brezat e ardhshëm. Ngjarje të tilla dëshmojnë gjithashtu rolin që kanë bashkëpunimi kulturor dhe shkencor në afrimin e institucioneve dhe shoqërive tona.























