Filharmonia e Kosovës mban dy koncerte me vepra shqiptare dhe polake në Krakovë
K. K. / RTKlive
Orkestra dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës prezantohen sonte para publikut polak në Filharmoninë e Krakovës, me një program që ndërthur krijimtarinë e kompozitorëve të shquar polakë dhe shqiptarë nga Kosova.
Koncerti i parë mbahet sonte, më 16 tetor, në orën 19:30, ndërsa koncerti i dytë do të mbahet të shtunën, më 17 tetor, në orën 18:00.
Sipas njoftimit të Filharmonisë së Kosovës në program përfshihet “Ciaccona” nga “Requiemi polak” i Krzysztof Pendereckit, kushtuar Papa Gjon Palit II, si dhe oratoriumi “Homagium Matri Teresiae” i kompozitorit kosovar Mendi Mengjiqi, i cili ishte nxënës i Pendereckit.
Publiku do të ketë mundësi të dëgjojë gjithashtu poemën simfonike “Skënderbeu” të kompozitorit Fahri Beqiri dhe “Koncertin për violinë nr. 1” të Karol Szymanowskit, ku violinistja Joanna Konarzewska do të interpretojë si soliste. Në rolet solistike do të paraqiten sopranoja Adelina Paloja, mezzosopranoja Ivana Hoxha, tenori Piotr Kalina dhe basi-baritoni Arkadiusz Jakus.
Orkestrën dhe Korin e Filharmonisë së Kosovës do t’i drejtojë dirigjenti Wojciech Czepiel.
Përmes këtij programi, Filharmonia e Kosovës sjell në skenën polake një ndërthurje të trashëgimisë muzikore polake me krijimtarinë shqiptare, duke forcuar bashkëpunimin kulturor ndërmjet dy vendeve.























