Restaurimi i Teatrit Kombëtar pritet të kushtojë mbi 7 milionë euro
Arbana Hajredinaj/RTK
Punimet për restaurimin dhe konservimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës pritet të përfundojnë plotësisht në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm. Objekti i teatrit kalon nëpër një proces tërësor të rinovimit për të mbrojtur strukturën e tij si pjesë e trashëgimisë sonë të çmuar kulturore. Sipas Ministrisë së Kulturës, investimi fillestar i kontraktuar që tejkalon shifrën prej 7 milionë eurosh pritet të ketë rritje, pasi përgjatë punimeve në terren janë shpërfaqur nevoja për ndërhyrje shtesë strukturore.
Rinovimi i Teatrit Kombëtar synon të adresojë dëmtimet e ndërtesës dhe të krijojë kushte më të mira për funksionimin e institucionit. Ministria e Kulturës zyrtarisht nënshkroi kontratën në shtator të vitit 2024, pas një periudhe të gjatë të mbylljes emergjente dhe hulumtimeve të hollësishme profesionale mbi gjendjen e këtij objekti të trashëgimisë kulturore. Restaurimi i Teatrit Kombëtar nuk është thjesht një ndërhyrje kozmetike, por një projekt i skanuar mirë që synon të zgjidhë problemet strukturore të ndërtesës.
“Prej pasluftës, prej vitit 1999 e tutje, i ka pas diku 6 ose 7 projekte të renovimit që janë ekzekutua aty. Por asnjëherë si tërësi, asnjëherë duke hulumtua shkallën e degradimit, dëmtimet e tjera të ndërtesës”, tha tha Bislim Bislim, sekretar permanent në Ministrinë e Kulturës.
Gjatë viteve të kaluara, ky institucion pati disa ndërhyrje të pjesshme, por të cilat nuk arritën të eliminonin problemet kryesore. Ministria e Kulturës ka vlerësuar se ndryshimi thelbësor i këtij projekti qëndron te qasja gjithëpërfshirëse, duke e ndarë këtë investim nga të gjitha përpjekjet e mëparshme. Vlera e kontraktuar e investimit i tejkalon 7 milionë euro.
“Investimet janë në, deri tani në shumë të kontraktuar po flasim mbi 7 milionë euro, me siguri se kjo shumë do të rritet sepse gjatë ekzekutimit të projektit kanë dalë shumë punë tjera të cilat duhet të ekzekutohen e të cilat nuk ka qenë e mundur objektivisht të parashikohen në periudhën e zhvillimit të projektit”, tha Bislimi.
Ky projekt pritet të përfundojë në gjysmën e parë të vitit 2027. Deri atëherë, menaxhmenti dhe Ministria zotohen se çdo ndërhyrje shtesë që po shfaqet rrugës po trajtohet me kujdesin më të lartë inxhinierik, në mënyrë që kur trupa e aktorëve të kthehet në shtëpinë e vet, të ketë në dispozicion një hapësirë që garanton siguri dhe standarde evropiane.























