Përurohet libri “Deçani, ekuivalenca e një poetike atdhetare” i Emine Boriçit
Islam Haxhiu/RTK
Në Qendrën e Kulturës “Fetnete Ramosaj” në Deçan është përuruar libri “Deçani, ekuivalenca e një poetike atdhetare”, i autores Emine Boriçi nga Lushnja. Vepra trajton vlerat letrare, historike dhe kombëtare të Deçanit, me theks të veçantë në poezinë e shkrimtarit Shkëlzen Ukëhaxhaj, djalit të veprimtarit dhe ish-të burgosurit politik, Hasan Ukëhaxhaj.
Autorja Emine Boriçi tha se interesimi për veprën e Shkëlzen Ukëhaxhajt nisi gjatë studimeve të saj, kur e mori atë në studim, ndërsa më vonë, gjatë leximit të librave të tij, vërejti rëndësinë e veçantë të motiveve atdhetare.
“E nisa si instinkt personal, pasi në vitin tim të parë studimor Shkëlzenin e mora në studim për veprën e tij. Në një moment të dytë, kur jemi takuar, më dhuroi edhe dy libra të tjerë, ku gjatë leximit kuptova që brenda vargjeve kishte vlerë të veçantë, sidomos motivi atdhetar”, tha Boriçi.
Ajo theksoi se përmes këtij libri ka synuar të vërë në pah dallimin mes poezisë historike dhe asaj që ndërtohet mbi motive patriotike.
“Në këtë libër të paktën kam dashur të tregoj dhe të them se nuk kemi të bëjmë me një histori, me një poezi historike, por kemi të bëjmë me një poezi të nxjerrë mbi motive patriotike. Këto dyja duhet ndarë”, u shpreh autorja.
Ndërkaq, shkrimtari Shkëlzen Ukëhaxhaj e vlerësoi punën studimore të autores, duke theksuar se ajo është përqendruar në dimensionin atdhetar dhe patriotik të poezisë së tij.
“Ajo ka marrë një temë të librave, domethënë pjesën e atdhetarizmit dhe patriotizmit në librat e mi në poezi dhe e ka shtjelluar në mënyrë mjaft të thukët situacionin, narracionin në këtë aspekt. Do ta falënderoja për punën shkencore dhe studimore që e ka bërë profesoresha Emine Boriçi”, tha Ukëhaxhaj.
Përurimi i librit “Deçani, ekuivalenca e një poetike atdhetare” u organizua nën patronatin e kryetarit të Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.

























