Ekspertët: Dobësimi i Vuçiqit s’garanton ndryshim të politikës ndaj Kosovës
BKT
Lajme

Ekspertët: Dobësimi i Vuçiqit s’garanton ndryshim të politikës ndaj Kosovës

Visar Shatrolli/ RTK

Humbja e Aleksandër Vuçiqit përballë Listës Studentore shënon një goditje politike për pushtetin e tij, pas 14 vitesh në politikën qeverisëse. Megjithatë, njohësit e sigurisë dhe të gjeopolitikës vlerësojnë se dobësimi i Vuçiqit nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshim të qasjes së Serbisë ndaj Kosovës. Sipas tyre, vazhdimësia e ideologjisë nacionaliste dhe mungesa e një qëndrimi të ri ndaj statusit të Kosovës mbeten sfida për paqen dhe stabilitetin rajonal.

Pas 14 vitesh në pushtet, Aleksandër Vuçiq po përballet me një goditje të rëndë politike pas humbjes përballë Listës Studentore. Ky rezultat vë në pikëpyetje vazhdimësinë e një modeli qeverisës të ndërtuar mbi nacionalizmin dhe presionin politik, përfshirë qasjen hegjemoniste ndaj Kosovës.

Gjatë qeverisjes së Vuçiqit, Kosova u përball me akte të rënda që tronditën sigurinë, përfshirë sulmin terrorist në Banjskë dhe shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit. Roli i Milan Radojiçiqit dhe lidhjet e tij me Vuçiqin dhe strukturat e pushtetit në Serbi vazhdojnë të ngrenë pikëpyetje për përgjegjësinë dhe drejtësinë.

Vuçiqi është kritikuar edhe për qëndrimet e tij glorifikuese ndaj figurave të dënuara për krime lufte, përfshirë Ratko Mlladiqin, ndërsa trashëgimia e politikave nacionaliste vazhdon të ndikojë në marrëdhëniet e Serbisë me rajonin.

Edhe Ivica Daçiqi, një nga figurat e vjetra të politikës serbe dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Sllobodan Millosheviqit dhe Vuçiqit, përfaqëson vazhdimësinë e një politike të lidhur me të kaluarën e konfliktit në Ballkan.

Megjithatë, dobësimi politik i Vuçiqit nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshim të qasjes së Serbisë ndaj Kosovës. Edhe Lista Studentore, e cila doli përballë pushtetit në këto zgjedhje, nuk ka shfaqur një qëndrim të ndryshëm sa i përket statusit të Kosovës.

Udhëheqësi i kësaj liste, Ilija Srdanoviq, gjatë fushatës deklaroi se Kushtetuta e Serbisë e konsideron Kosovën pjesë të saj, duke lënë të kuptohet se kjo qasje mund të vazhdojë.

Në këtë kontekst, njohësit e sigurisë dhe profesorët e politikës së jashtme nuk presin ndryshime të mëdha në politikën serbe ndaj Kosovës.

“Nëse bazohemi në deklaratat gjatë fushatës dhe në memorandumin e studentëve të muajit maj, ata kanë shprehur vazhdimisht qëndrime kërcënuese ndaj Kosovës, duke sinjalizuar vazhdimësinë e së njëjtës politikë. Megjithatë, duhet të mbetemi optimistë për çështje të ndryshme, sepse Serbia duhet të ndjekë një kurs tjetër nëse dëshiron të integrohet në Bashkimin Evropian”, tha Gurakuç Kuçi nga Instituti “Octopus”.

Ndërkaq, profesorë të tjerë vlerësojnë se Serbia duhet të shkëputet nga logjika politike e ndjekur nga Vuçiqi.

“Mosdistancimi nga Putini, i cili është akuzuar për krime lufte, qasja ndaj Bashkimit Evropian dhe, në veçanti, marrëveshja me Kosovën, mendoj se nuk e bëjnë shumë të dallueshme këtë strukturë politike që ka fituar zgjedhjet nga ajo që ka qenë deri më sot. Sidoqoftë, ky është vetëm fillimi dhe duhet të presim, sepse kursi i shfaqur gjatë fushatës mund të ndryshojë nga ai që do të ndiqet në fillim të mandatit”, tha Dorajet Imeri, profesor i gjeopolitikës.

Sipas Imerit, edhe nëse Vuçiqi e humb pushtetin, trashëgimia e tij politike mund të vazhdojë të sfidojë paqen në rajon, për sa kohë që Serbia nuk përballet me të kaluarën dhe nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur.


MË SHUME NGA Lajme