RTK-Korrigjim dhe kërkimfalje publike
RTKlive
Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) njofton publikun se gjatë përgatitjes dhe publikimit të një video-materiali informativ lidhur me një rast arrestimi, është bërë një gabim teknik.
Gjatë procesit të montimit, në materialin e publikuar rreth orës 14:00, për rreth dy sekonda ka mbetur gabimisht një sekuencë titrash, nga një material i mëparshëm, e cila përmbante mbishkrimin “ish-deputeti i PDK-së”. Ky mbishkrim nuk kishte asnjë lidhje me rastin e raportuar dhe nuk duhej të ishte pjesë e materialit.
Menjëherë pas konstatimit, rreth 30 sekonda pas publikimit, materiali është larguar nga rrjetet sociale, është korrigjuar dhe më pas është publikuar në versionin e saktë.
RTK e pranon gabimin dhe merr përgjegjësi për publikimin e informacionit të pasaktë, pavarësisht natyrës së tij të paqëllimshme.
Theksojmë se mbishkrimi i shfaqur gabimisht nuk përfaqësonte ndonjë fakt të verifikuar lidhur me rastin dhe nuk kishte për qëllim ndërlidhjen e tij me ndonjë subjekt politik apo individ.
Në respektim të parimeve të saktësisë, përgjegjësisë editoriale dhe korrigjimit të gabimeve, RTK kërkon falje publike për këtë pasaktësi dhe për çdo keqkuptim që mund të ketë shkaktuar.
Mbetemi të përkushtuar ndaj informimit të saktë, të paanshëm dhe të besueshëm, si dhe ndaj përgjegjësisë sonë për të korrigjuar në mënyrë transparente çdo gabim të konstatuar.























