Pushimi i hetimeve ndaj disa ministrave, Prokuroria Speciale del me sqarim
A.B/RTKLive
Prokuroria Speciale e Kosovës reagoi ndaj raportimeve në disa media se pas shkarkimit të kryeprokurorit të kësaj prokurorie Blerim Isufajt janë pushuar hetimet ndaj tre ministrave të Qeverisë së Albin Kurtit. Sipas kësaj Prokurorie, vendimet janë marrë në bazë të provave dhe kritereve ligjore e jo si pasojë e ndryshimeve në udhëheqjen e institucionit.
"Nga data 02.10.2026, kur kanë ndodhur ndryshimet në udhëheqjen e Prokurorisë Speciale, e deri më tani, ky institucion ka ngritur 10 aktakuza ndaj 31 personave, ka marrë 9 vendime për pushimin e hetimeve ndaj 14 personave dhe ka hedhur poshtë 9 kallëzime penale ndaj 21 personave. Sa u përket rasteve konkrete, vendimi për pushimin e hetimeve ndaj ish-ministrit L.A është marrë më datë 11.09.2026, pra para ndryshimeve në udhëheqjen e Prokurorisë Speciale. Ndërkaq, sa u përket F. P dhe F.P, hetimet ndaj të cilëve ishin filluar më 04.07.2025, pas zhvillimit të hetimeve, po i njëjti prokuror special që kishte filluar ato, më 26.10.2026, ka vendosur për pushimin e tyre", njofton PSRK.
Vendimet për pushimin e këtyre hetimeve janë marrë pas vlerësimit të provave dhe rrethanave konkrete të secilit rast, në përputhje me kriteret ligjore dhe jo si pasojë e ndryshimeve në udhëheqjen e institucionit.
"Po ashtu, është me rëndësi të theksohet se, përveç rasteve të përmendura në raportimet mediatike, në mesin e personave ndaj të cilëve janë pushuar hetimet gjatë kësaj periudhe është edhe ish-Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xh.T., në dy raste të ndara, si dhe zyrtarë të tjerë të profilit të lartë. Gjithashtu, ndaj Kryetarit aktual të Komunës së Prizrenit, Sh.T., është hedhur poshtë kallëzimi penal. Prokuroria Speciale e bazon vendimmarrjen e saj në ligj, në provat e administruara dhe në vlerësimin profesional të prokurorëve, pavarësisht përkatësisë politike të personave të përfshirë në raste dhe ndryshimeve në udhëheqje", njofton PSRK.
Prokuroria Speciale garanton pavarësinë e prokurorëve në ushtrimin e funksionit dhe në vendimmarrje. Secili prokuror ka lirinë e plotë profesionale dhe institucionale që të hetojë, të veprojë dhe të vendosë mbi bazën e ligjit, provave dhe bindjes së lirë profesionale, pa asnjë presion, ndikim apo ndërhyrje.
Qëndrimi i Prokurorisë Specale është i qartë: asnjë rast nuk ka rezultat të paracaktuar dhe asnjë prokurori nuk i diktohet se si të vendosë.
Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar në ushtrimin e mandatit të saj ligjor në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të paanshme, ndërsa i fton mediat që raportimet e tyre t'i bazojnë në fakte të sakta, të plota dhe të verifikuara, duke shmangur interpretimet që krijojnë lidhje shkakësore të pambështetura.























