Paqartësi në Ligjin për Dhunën në Familje, kërkohen përmirësime
Sh.Ç/RTKlive
Paqartësitë në ndarjen e përgjegjësive institucionale dhe dispozitat kontradiktore të Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje kanë ngritur nevojën për përmirësime në zbatimin e tij. Për këto çështje ka folur ekspertja e NDI-së, Luljeta Plakolli Kasumi, në një takim me Komisionin për të Drejtat e Njeriut.
Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Baza Gjinore ka dispozita që kërkojnë qartësim, veçanërisht sa i përket ndarjes së përgjegjësive ndërmjet institucioneve.
Kështu ka vlerësuar ekspertja e Institutit Nacional Demokratik (NDI), Luljeta Plakolli Kasumi, në një takim me anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione, ku është diskutuar për zbatimin e këtij ligji dhe planin e veprimit.
Plakolli Kasumi ka theksuar se, pavarësisht rëndësisë së dispozitave ligjore për mbrojtjen e viktimave, disa prej tyre janë kontradiktore dhe mund të krijojnë vështirësi gjatë zbatimit.
“Nuk është ligj i keq, po ka hapësirë për të përmirësuar, ka dispozita kontradiktore, ka paqartësi sa i përket përgjegjësive institucionale”, ka deklaruar ajo.
Megjithatë, ekspertja e NDI-së ka vlerësuar se ligji përmban mekanizma të rëndësishëm, përfshirë përcaktimin e një koordinatori apo koordinatoreje kombëtare për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje.
Një tjetër aspekt pozitiv që ajo ka veçuar është financimi shumëvjeçar i strehimoreve, duke e cilësuar atë si një masë në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Evropës.
“Ka paraparë një financim shumë vjeçar të strehimoreve, domethënë që përkon me një prej rekomandimeve të Këshillit të Evropës që kjo duhet me qenë”, ka thënë Plakolli Kasumi.
Ajo ka ngritur gjithashtu shqetësimin për rreziqet që mund të sjellë zbatimi i dispozitave pa një ndarje të qartë të përgjegjësive, duke kërkuar vëmendje më të madhe në koordinimin institucional.
Diskutimi në komision u përqendrua në nevojën për përmirësimin e zbatimit të ligjit, në mënyrë që mekanizmat e paraparë për parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e viktimave të funksionojnë në mënyrë efektive.























