Reformat e brendshme prioritet, pa ndryshime të shpejta në raport me Kosovën
Anamari Repiq, RTK/Beograd
Lista Studentore „Studentët Fitojnë“ siguroi shumicën absolute parlamentare në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Serbi, pas pothuajse dy vjetësh protestash studentore dhe qytetare. Sipas projeksionit të ndarjes së mandateve, Listës Studentore i takojnë 140 nga gjithsej 250 ulëse në Kuvend, koalicionit të Aleksandar Vuçiqit 103, ndërsa shtatë mandatet e mbetura u takojnë listave të pakicave kombëtare.
Rezultati zgjedhor shënoi jo vetëm ndryshimin e shumicës parlamentare, por edhe një transformim të rëndësishëm të skenës politike në Serbi. Megjithatë, qeveria e re ende nuk është formuar, ndërsa pritjet e qytetarëve janë të mëdha. Gjatë protestave, ata kërkuan përgjegjësi institucionale, gjyqësor të pavarur, luftë kundër korrupsionit dhe liri të mediave.
Koordinatorja e Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian, Bojana Sellakoviq, vlerëson për RTK-në se fitorja e Listës Studentore përbën një kthesë historike, e cila dëshmon pakënaqësinë e thellë të qytetarëve me sistemin e deritanishëm politik.
„Ky është një tregues i qartë se nuk kishte besim në sistem, në institucione, në partinë në pushtet që kishte uzurpuar proceset e vendimmarrjes, por as në aktorët e tjerë politikë. Tani do të kemi një parlament me dy parti, me vetëm disa deputetë të pakicave kombëtare, prandaj ky është një rezultat historik në njëfarë mënyre. Gjithçka tregon se atmosfera ishte si ajo e referendumit “, thotë Sellakoviq.
Rimëkëmbja e institucioneve, testi i parë për pushtetin e ri
Megjithëse fitorja zgjedhore ka hapur mundësinë për ndryshime politike, Selakoviq paralajmëron se vetëm ndërrimi i pushtetit nuk është i mjaftueshëm. Sipas saj, puna më e madhe ende mbetet për t'u bërë, veçanërisht në reformat që studentët i kanë theksuar gjatë protestave.
„Padyshim, na pret një punë jashtëzakonisht e madhe, para së gjithash në fushat që edhe studentët i kanë përcaktuar si kyçe. Këtu e kam fjalën për politikën e brendshme, ndryshimin e mënyrës së funksionimit të institucioneve, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe gjendjen e lirisë së mediave. Këto janë temat që studentët i kanë theksuar më së shumti gjatë dy viteve të fundit“, thekson Sellakoviq.
Pikërisht aftësia e qeverisë së ardhshme për të zbatuar reformat dhe për të siguruar funksionim më të pavarur të institucioneve do të jetë një nga treguesit e parë nëse fitorja zgjedhore do të sjellë edhe ndryshim thelbësor në mënyrën e qeverisjes së vendit.
Kosova nuk ishte ndër prioritetet kryesore të lëvizjes studentore
Ndërsa reformat e brendshme janë në plan të parë, për Kosovën dhe rajonin një nga çështjet kryesore mbetet politika që do të ndjekë pushteti i ri në Beograd.
Lista Studentore e trajton çështjen e Kosovës në kuadër të Kushtetutës së Serbisë dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke paralajmëruar vazhdimin e dialogut me Prishtinën, respektimin e detyrimeve të marra ndërkombëtarisht dhe mundësinë e rishqyrtimit të marrëveshjeve të mëparshme në raport me Kushtetutën e Serbisë.
Edhe pushteti i deritanishëm i Aleksandar Vuçiqit e kundërshtonte pavarësinë e Kosovës, por gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian kishte pranuar një sërë marrëveshjesh për normalizimin e marrëdhënieve, zbatimi i të cilave mbetet ende çështje e hapur.
Sellakoviq nuk pret që ndryshimi i pushtetit të sjellë përparim të ndjeshëm në dialog në një të ardhme të afërt, kryesisht sepse Kosova dhe çështjet rajonale nuk ishin në qendër të protestave studentore dhe të fushatës zgjedhore.
„Nuk besoj se pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë do të ketë një dinamikë rrënjësisht të ndryshme. Mendoj se këto procese, para së gjithash kur flasim për dialogun, kanë arritur në një fazë ku do të ruhet gjendja ekzistuese, ndërsa fokusi do të jetë te tema të tjera“, thotë Sellakoviq.
Mundësi për uljen e tensioneve në rajon
Megjithëse nuk pret ndryshime të shpejta në politikën ndaj Kosovës, Sellakoviq konsideron se shumica e re politike mund të kontribuojë në krijimin e një atmosfere tjetër në marrëdhëniet e Serbisë me vendet fqinje.
Sipas saj, mesazhet e Listës Studentore për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe stabilitet rajonal tashmë kanë marrë reagime pozitive, pas viteve të karakterizuara nga tensione politike ndërmjet Beogradit dhe disa vendeve të rajonit.
„Mendoj se si në rajon, ashtu edhe në vendet e Bashkimit Evropian, pas zgjedhjeve ka pasur një lloj ç’tensionimi. Mesazhet që i janë dërguar rajonit janë inkurajuese, në kuptimin se Lista Studentore dhe shumica politike që do të dalë prej saj do të angazhohen për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe stabilitet rajonal. Mendoj se për një periudhë të shkurtër të gjithë do të marrin frymë më lirshëm, ndërsa vetëm në fazën e ardhshme mund të flasim për ndryshime që do të kishin efekt më afatgjatë“, vlerëson Sellakoviq.
Megjithatë, se sa gatishmëria e paralajmëruar për bashkëpunim rajonal do të shndërrohet në hapa konkretë politikë, do të varet nga qeveria e ardhshme dhe qasja e saj ndaj çështjeve të hapura me vendet fqinje.
Integrimet evropiane dhe marrëdhëniet me Rusinë
Sa i përket politikës së jashtme, Lista Studentore paralajmëron vazhdimin e integrimeve evropiane, por edhe mbajtjen e një referendumi në të cilin qytetarët do të vendosnin për anëtarësimin eventual të Serbisë në Bashkimin Evropian.
Edhe pse pushteti i deritanishëm e mbështeste zyrtarisht rrugën evropiane të Serbisë, negociatat e anëtarësimit gjatë viteve të fundit kishin ngecur, veçanërisht për shkak të reformave të pamjaftueshme në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe lirinë e mediave.
Për momentin nuk paralajmërohen ndryshime të mëdha as në marrëdhëniet me Rusinë. Ashtu si pushteti i mëparshëm, Lista Studentore nuk e mbështet vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës, pavarësisht pritjeve të Bashkimit Evropian që Serbia, si vend kandidat, ta harmonizojë gradualisht politikën e saj të jashtme me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.
Megjithatë, Sellakoviq konsideron se reformat e paralajmëruara të brendshme mund të kontribuojnë në përparimin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian, edhe nëse në politikën e jashtme fillimisht mbizotëron vazhdimësia.
„Kemi dëgjuar se vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë nuk është një masë që mund të pritet në afat të shkurtër, por se procesi i integrimeve evropiane do të vazhdojë. Pikërisht këtu ndoshta mund të shohim disa rezultate, sepse vërejtjet më të mëdha të Komisionit Evropian për rrugën reformuese të Serbisë kanë qenë në fushat që Lista Studentore i ka përcaktuar si prioritete të saj“, thekson Sellakoviq.
Fitorja zgjedhore ende duhet të shndërrohet në reforma
Serbia po hyn në periudhën e formimit të institucioneve të reja dhe përcaktimit të prioriteteve të qeverisë së ardhshme. Megjithëse për momentin nuk priten ndryshime të mëdha në marrëdhëniet me Prishtinën dhe në politikën e jashtme, ndryshimi i pushtetit mund të krijojë hapësirë për një qasje tjetër ndaj bashkëpunimit rajonal dhe integrimeve evropiane.
Testi kryesor për pushtetin e ri do të jetë përmbushja e kërkesave që për pothuajse dy vjet ishin në qendër të protestave studentore dhe qytetare, vendosja e përgjegjësisë institucionale, sundimi i ligjit, lufta më efikase kundër korrupsionit dhe liria e mediave.
Lista Studentore, e cila ka fituar 140 nga 250 mandate parlamentare, ka shumicën për ta formuar e vetme qeverinë, por ende pritet shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, që parashikohet deri në fund të kësaj jave ose në fillim të javës së ardhshme. Seanca konstituive e Kuvendit duhet të mbahet jo më vonë se më 10 dhjetor, pas së cilës fillon afati prej 90 ditësh për zgjedhjen e qeverisë.
Ndërkohë, brenda Listës Studentore po zhvillohen bisedime për kryeministrin e ardhshëm dhe përbërjen e qeverisë, por ende nuk ka emra zyrtarë apo marrëveshje për ndarjen e dikastereve ministrore. Është paralajmëruar se vendimet do të merren bashkërisht, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të universiteteve dhe të lëvizjes studentore.
Ndër hapat e parë që priten nga pushteti i ri janë reformat në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe ndryshimet në institucionet e sigurisë dhe në media. Pikërisht rezultatet konkrete në këto fusha do të tregojnë se deri në ç'masë fitorja zgjedhore do të shndërrohet në ndryshime thelbësore politike dhe institucionale.























