Policia gjobit shoferët e autobusëve në Prizren, nuk ndaluan në stacionin zyrtar
Sh.G|RTKlive
Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa ndaj disa drejtuesve të autobusëve në Prizren, të cilët nuk kanë respektuar rregullat e komunikacionit dhe detyrimin për të hyrë në Stacionin e Autobusëve për marrjen e udhëtarëve.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, kontrollet janë realizuar më 12 nëntor nga zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Prizren, në kuadër të një plani operativ për monitorimin e komunikacionit në zonën e Stacionit të Autobusëve.
Gjatë kontrolleve, policia ka identifikuar disa drejtues autobusësh të kompanive të ndryshme të transportit, të cilët nuk janë ndalur në hapësirat zyrtare të stacionit, por kanë marrë udhëtarë në afërsi të tij, jashtë vendndaljeve të parapara.
Për këto kundërvajtje, policia ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 100 euro për secilin drejtues autobusi.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të autobusëve dhe kompanive të transportit publik që të respektojnë shenjat e trafikut, dispozitat ligjore dhe rregullat për shfrytëzimin e Stacionit të Autobusëve.
Në njoftim theksohet gjithashtu rëndësia e respektimit të parimeve të konkurrencës së drejtë dhe të ndershme në transportin publik të udhëtarëve.























