Aktakuzë ndaj një personi për vrasjen e vitit 2025 në Baicë të Lipjanit
G.K/RTKlive
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit T.K., nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 3 gusht 2025, në fshatin Baicë të Lipjanit, ku i pandehuri dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje me viktimën E.B., e ka privuar atë nga jeta në mënyrë mizore.
Sipas aktakuzës, T.K. dyshohet se fillimisht e ka goditur viktimën me një mjet të fortë në pjesë të ndryshme të trupit dhe më pas e ka lidhur me një litar rreth qafës, duke i shkaktuar asfiksi mekanike, si pasojë e së cilës ka humbur jetën.
Prokuroria njofton se pas kryerjes së veprës, i pandehuri dyshohet se e ka tërhequr zvarrë trupin e viktimës dhe e ka fshehur në një gropë, të cilën më pas e ka mbuluar me dhe. Ai dyshohet se ka fshehur edhe mjetet e përdorura gjatë kryerjes së veprës.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e të pandehurit në Baicë, janë gjetur dhe sekuestruar armë të kalibrave të ndryshëm, përfshirë armë automatike, pushkë dhe municion, të cilat mbaheshin pa autorizim.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës kompetente që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.























