Erërat e fuqishme shkaktojnë dëme në Prizren, Rahovec e Suharekë
Myrvete Axhami/RTK
Stuhia e sotme ka përfshirë edhe Prizrenin, Rahovecin dhe Suharekën, duke shkaktuar dëme materiale, duke rrëzuar shtylla elektrike e duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike në disa zona. Në Prizren, dëmet më të mëdha janë regjistruar në shkollën ‘Xhevat Berisha’, ku është dëmtuar kulmi, ndërsa nxënësit janë evakuuar për arsye sigurie.
Që nga mbrëmja e 12 nëntorit, erërat e fuqishme kanë shkaktuar dëme në disa pjesë të komunës së Prizrenit.
Më së shumti është dëmtuar shkolla ‘Xhevat Berisha’, në lagjen e Trimave. Për shkak të rrezikut nga shembja e kulmit, drejtoria ka ndërprerë mësimin dhe ka evakuuar nxënësit.
‘Kemi marrë vendim sipas planit emergjent për evakuimin e nxënësve, me njoftimin e prindërve. Evakuimi është bërë në orën 11:00, ndërsa për gjendjen e krijuar janë njoftuar KDSH-ja dhe Drejtoria e Arsimit”, tha Mimoza Duraj, drejtoreshë e shkollës
Në terren kanë dalë ekipet emergjente dhe zjarrfikësit, të cilët kanë intervenuar në disa lokacione.
“Prej dje në mbrëmje jemi ballafaquar me erëra të fuqishme në tërë territorin e komunës. Përveç shkollës ‘Xhevat Berisha’, dëme kemi edhe në një shtëpi private në Billushë, si dhe në disa objekte e shtylla elektrike. Bashkë me zjarrfikësit kemi punuar për eliminimin e rrezikut”, Sead Arifi, drejtor i Emergjencave në Prizren.
Ndërkaq, zjarrfikësit kanë intervenuar në disa pika, ku janë rrëzuar kulme dhe shtylla elektrike.
“Kemi intervenuar në fshatin Billushë dhe te shkolla ‘Xhevat Berisha’. Deri më tani kemi rreth 13 shtylla elektrike të drurit të rrëzuara”, Flamur Hoti, komandant i Brigadës së Zjarrfikësve
Dëme nga erërat janë raportuar edhe në lagjen Arbana dhe fshatrat Nashec, Billushë, Kobaj e zona të tjera. Disa prej tyre kanë mbetur pa energji elektrike për orë të tëra. KEDS-i ka njoftuar se ekipet e tij janë në terren dhe po punojnë me të gjitha kapacitetet për sanimin e dëmeve dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike. Situatë e ngjashme është raportuar edhe në Rahovec dhe Suharekë.























