Katër raste të dhunës në familje raportohen në Prishtinë dhe Obiliq
A.B/RTKLive
Katër raste të dhunës në familje janë raportuar në Prishtinë dhe Obiliq, sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës.
Në Prishtinë, një person është arrestuar nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëjetueses së tij. Gjatë rastit, policia ka sekuestruar një pistoletë me shtatë fishekë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në një rast tjetër në Prishtinë, është arrestuar një person i dyshuar për ushtrim të vazhdueshëm të dhunës fizike ndaj motrës së tij të mitur. Viktima, pas intervistimit në prani të zyrtarit për punë sociale, është dërguar në strehimore. I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, në Obiliq është arrestuar një person nën dyshimin se kishte sulmuar fizikisht babanë e tij. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Policia ka raportuar edhe një rast tjetër në Prishtinë, ku një baba dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj vajzës së tij të mitur. I dyshuari është intervistuar dhe, me urdhër të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.























