QKMF-ja në Klinë thotë se pacientja që vdiq shfaqi reaksion alergjik
RTKLive
( e plotësuar) Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Klinë ka dhënë sqarime lidhur me vdekjen e një pacienteje, gjendja e së cilës, sipas raportit të Policisë, u përkeqësua pasi mori trajtim aty.
QKMF-ja në profilin e saj në Facebook ka sqaruar se fillimisht pacientja ka marrë shërbim specialistik te mjeku infektolog, i cili ka përshkruar terapi me infuzion, nga i cili dyshohet të ketë shfaqur reaksion alergjik.
Sipas sqarimit, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, pacientja është transferuar me autoambulancë drejt Pejës, e shoqëruar nga mjeku dhe infermieri.
Bëhet e ditur se jJanë angazhuar edhe njësitë policore të Klinës, me qëllim të përshpejtimit të transportit, për shkak të ngarkesës në trafik, në mënyrë që rasti të arrinte sa më shpejt në Spitalin Rajonal në Pejë.
“Gjatë pjesës më të madhe të rrugës është kryer reanimim kardiopulmonar, ndërsa në Pejë pacientja është intubuar. Megjithë masat intensive dhe terapeutike të ndërmarra, pacientja ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.
Siç potencon edhe QKMF-ja në Klinë, rasti është aktualisht nën hetim nga institucionet kompetente.
“QKMF do të bashkëpunojë me organet përkatëse dhe do t'u ofrojë të gjithë dokumentacionin mjekësor të kërkuar. Duke respektuar ndjeshmërinë e rastit, dinjitetin e pacientes dhe privatësinë e familjes, QKMF nuk do të bëjë komente të mëtejshme gjatë zhvillimit të hetimit dhe do të informojë publikun për çdo zhvillim relevant”, thuhet në njoftim.
Në anën tjetër, Spitali i Pejës përmes një reagimi ka deklaruar se pacientja e moshës 43-vjeçare është dërguar pa shenja jete.
“Dje, rreth orës 14:20, në Emergjencën e Spitalit është sjellë një paciente e moshës 43 vjeçare pa shenja jete. Përkundër përpjekjeve maksimale të ekipit mjekësor dhe reanimimit të ndërmarrë, fatkeqësisht nuk është arritur rikthimi i shenjave vitale. Për rastin janë njoftuar organet kompetente, të cilat merren me procedurat e mëtejme”, thuhet në njoftim.
Policia njofton për vdekjen e një gruaje pas trajtimit në QKMF-në e Klinës
Një grua ka vdekur të premten në rrethana ende të paqarta, pasi fillimisht ishte dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, gjendja shëndetësore e saj është përkeqësuar gjatë kontrollit mjekësor, pas së cilës është nisur me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal të Pejës.
Me të arritur në spital, mjekët kanë konstatuar se ajo ishte pa shenja jete.
Në konsultim me prokurorin, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion. Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.























