Ministria gjen shkelje të shumta në QPS-në e Pejës në rastin e Arlinda Zekajt
BKT
Lajme

Ministria gjen shkelje të shumta në QPS-në e Pejës në rastin e Arlinda Zekajt

K. K/ RTKlive

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka thënë se në raportin e inspektimit të jashtëzakonshëm për Qendrën për Punë Sociale në Pejë lidhur me trajtimin e rastit të të ndjerës Arlinda Zekaj ka gjetur shkelje të shumta. ka thënë se në raportin e inspektimit të jashtëzakonshëm për Qendrën për Punë Sociale në Pejë lidhur me trajtimin e rastit të të ndjerës Arlinda Zekaj ka gjetur shkelje të shumta.

NJOFTIMI I PLOTË PËR OPINIONIN PUBLIK

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, në funksion të transparencës dhe informimit të saktë të publikut, bën publike përmbledhjen e gjetjeve dhe rekomandimeve të Raportit të Inspektimit të Jashtëzakonshëm në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, lidhur me trajtimin e rastit të së ndjerës A. Z.

Raporti konstaton mosrespektim të afatit gjyqësor, neglizhencë në përmbushjen e detyrave, mosveprim sipas detyrës zyrtare dhe mungesë të mbikëqyrjes profesionale. 

Konkretisht:

1. Dorëzimin e raportit në Gjykatë jashtë afatit shtatëditor, të përcaktuar me aktvendimin e datës 24.09.2026. Raporti është dorëzuar më 05.10.2026.
2. Neglizhencën në përmbushjen e detyrave të punës, përkatësisht mungesën e pajustifikuar të menaxheres së rastit në seancën gjyqësore të datës 05.10.2026.
3. Mosrealizimin e monitorimit që kërkohej sipas detyrës zyrtare pas pranimit të aktvendimit gjyqësor të datës 07.09.2026, pavarësisht se QPS-ja kishte përgjegjësi për të vepruar edhe pa detyrime të posaçme të përcaktuara nga Gjykata.
4. Moszbatimin e procedurave standarde të menaxhimit të rastit: mosplotësimin e formularit për kontaktet dhe punën në rast, si dhe moshartimin e Planit Individual të Shërbimeve.
5. Mungesën e mbikëqyrjes profesionale nga udhëheqësi i Shërbimeve Sociale mbi punën dhe përmbushjen e detyrave të menaxheres së rastit, në kuadër të përgjegjësisë së tij për monitorimin e punës së zyrtarëve profesionalë dhe organizimin dhe funksionimin e Shërbimit Social në QPS Pejë.

Për këto shkelje, Divizioni i Inspektimit i ka rekomanduar Kryetarit të Komunës së Pejës ndërmarrjen e masave disiplinore ndaj menaxheres së rastit, T. G., dhe udhëheqësit të Shërbimeve Sociale, D. K., sipas përgjegjësive të tyre dhe procedurave ligjore.

Raporti i rekomandon gjithashtu Kryetarit të Komunës:

- Rritjen urgjente të kapaciteteve të stafit profesional të licencuar, duke pasur parasysh pamjaftueshmërinë e stafit në raport me vëllimin e përgjegjësive dhe territorin që mbulon QPS Pejë.
- Ndërmarrjen e hapave të menjëhershëm për zhvendosjen e Drejtorisë për Mirëqenie Sociale, përkatësisht drejtoreshës A. B., për të mundësuar punën e pavarur profesionale të QPS-së dhe ndarjen e qartë të detyrave, përgjegjësive dhe funksioneve ndërmjet dy institucioneve.

PËR QENDRËN PËR PUNË SOCIALE NË PEJË, RAPORTI REKOMANDON:

- Menaxheri i rastit dhe kujdestari ligjor të sigurojnë mbikëqyrje të vazhdueshme dhe vizita të rregullta monitoruese për fëmijën e vendosur në strehimore, duke vlerësuar gjendjen shëndetësore, psikosociale dhe përshtatjen e tij, si dhe duke dokumentuar shërbimet e ofruara.
- QPS-ja të koordinojë shërbimet me institucionet përkatëse, bazuar në nevojat dhe planin individual të shërbimeve për fëmijën.
- Të kërkojë nga Drejtoria për Mirëqenie Sociale zhvillimin e procedurave për rritjen e stafit profesional të licencuar.
- Zyrtarët e Shërbimit Social të përdorin të gjithë formularët standardë të menaxhimit të rasteve.
- Të vlerësohen nevojat për trajnim dhe ritrajnim të stafit për zbatimin e legjislacionit, procedurave standarde dhe standardeve minimale, me theks të veçantë në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.

Kërkojmë nga Komuna e Pejës trajtimin pa vonesë të rekomandimeve dhe njoftimin zyrtar të Ministrisë për veprimet e ndërmarra. Ministria do të monitorojë zbatimin e rekomandimeve nga ana e Komunës së Pejës.


MË SHUME NGA Lajme