Çmimet e larta rëndojnë familjet me të ardhura të ulëta
BKT
Kosovë

Çmimet e larta rëndojnë familjet me të ardhura të ulëta

Visar Shatrolli/ RTK

Çmimet e larta po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë përballimin e shpenzimeve të përditshme për familjet në Kosovë. Në një kohë kur të ardhurat nuk po arrijnë ta ndjekin koston e jetesës, një pjesë e madhe e buxhetit familjar shpenzohet për ushqim, energji elektrike dhe banim. Kështu, nevojat e domosdoshme po lënë gjithnjë e më pak hapësirë për shpenzimet e tjera. Ndërkohë, varësia nga importi dhe prodhimi i kufizuar vendor mbeten faktorë që ndikojnë në çmimet e tregut.

Shporta e produkteve esenciale vazhdon të rëndojë buxhetin familjar. Produktet bazë ushqimore, të domosdoshme për konsumin e përditshëm, mbeten të kushtueshme, ndërsa për familjet me të ardhura të kufizuara, blerja e tyre po bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Për shumë qytetarë, një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave mujore shkon vetëm për ushqim dhe produkte të domosdoshme.

 Kjo u lë pak hapësirë për t’i përballuar shpenzimet e tjera, si energjia elektrike, banimi, transporti dhe kujdesi shëndetësor. Dallimi ndërmjet të ardhurave dhe kostos së jetesës po ndihet veçanërisht te familjet që mbështeten në paga të ulëta, pensione apo burime të kufizuara financiare.

" Janë rrogat shumë të ulëta, pensionin e marr 238 euro .Ato nuk dalin as për një javë. Nuk dalin as për barna”, tha një qytetar.

 Ka edhe qytetarë që konsiderojnë se çmimet nuk janë domosdoshmërish të larta, por një pjesë e problemit lidhet me mungesën e angazhimit në prodhimin vendor dhe varësinë nga blerja e produkteve të gatshme.

" Po në krahasim me pagat e pensionet janë të larta. Nuk po dojmë me punua tokën. Kemi ardhë tanë në qytet e po dojmë me hëngër badihava”, tha një qytetar tjetër.

Megjithatë, fermerët që merren me shitjen e produkteve të tyre të kultivuara nga toka e punuar thonë se çmimet aktuale janë të larta për qytetarët.

" Për qytetar çmimet nuk janë aq të volitshme, duhet me kon çmimet më solide jo fort të larta se nuk kanë mundësi ", tha Enver Konjuhi, fermer.

 Se çmimet e konsumit në Kosovë vazhdojnë të shënojnë rritje, e thonë edhe shifrat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Nga të dhënat e publikuara del se Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në Kosovë ka shënuar rritje për 7,1 për qind në tetor, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave, rritje është shënuar te ushqimet dhe pijet joalkoolike, me 3,2 për qind, derisa rritja më e madhe e çmimeve është regjistruar në transport, me 21,5 për qind, pasuar nga strehimi, energjia elektrike dhe lëndët djegëse, me 9,7 për qind.

Sipas përfaqësuesve të konsumatorëve, një nga faktorët kryesorë që ndikon në rritjen e çmimeve në Kosovë është varësia e madhe nga importi.

" Ne nuk kemi kontroll mbi këtë import. Me import ne importojmë edhe shumë inflacion, çmimet e ngritura kryesisht burojnë nga importi dhe ato ndikojnë edhe në sabotimin e prodhimit vendor",  tha Selatin Kaçaniku nga  OJQ “Konsumatori”.

Kjo situatë, sipas përfaqësuesve të konsumatorëve, dëshmon nevojën për masa që do të ulnin varësinë nga importi dhe do të forconin prodhimin vendor.

Deri atëherë, luhatjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare vazhdojnë të reflektohen edhe në tregun e Kosovës, duke rënduar drejtpërdrejt buxhetin e familjeve. Për qytetarët me të ardhura të ulëta, përballimi i shpenzimeve të përditshme mbetet një sfidë e vazhdueshme.


MË SHUME NGA Kosovë