Tërhiqet qumështi VITA, IKSHPK paralajmëron qytetarët
Sh.Ç/RTKlive
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë rekomandimet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dhe të shmangin konsumimin e një serie të caktuar të qumështit VITA UHT 3.2% yndyrë, e cila është tërhequr nga tregu pas konstatimit të nivelit të tejkaluar të aflatoksinës M1.
Sipas njoftimit të IKSHPK-së, analizat laboratorike kanë konfirmuar praninë e aflatoksinës M1 në përqendrim prej 0.065 mikrogramë për kilogram (µg/kg), ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 0.050 µg/kg.
"Produkti për të cilin është lëshuar paralajmërimi është qumështi VITA UHT me 3.2 për qind yndyrë, i prodhuar nga kompania ABRAZEN SH.P.K. (Qumështorja VITA), në paketim prej një litri. Bëhet fjalë për produktin me datë prodhimi 18 korrik 2026 dhe afat përdorimi deri më 18 janar 2027", thuhet në njoftim.
IKSHPK thekson se aflatoksina M1 është substancë toksike, ekspozimi i vazhdueshëm dhe afatgjatë ndaj së cilës mund të paraqesë rrezik për shëndetin e njeriut, veçanërisht për shkak të efekteve të mundshme në mëlçi.
Instituti u bën thirrje qytetarëve që posedojnë këtë seri të qumështit të mos e konsumojnë atë dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve kompetente.
Ndërkohë, IKSHPK ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në informimin e qytetarëve dhe mbrojtjen e shëndetit publik, duke kërkuar kujdes të shtuar në respektimin e njoftimeve dhe rekomandimeve zyrtare për sigurinë ushqimore.






















