19 të dënuar certifikohen në programe rehabilituese dhe trajnime profesionale
V.Th / RTKLive
Nëntëmbëdhjetë të dënuar në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë kanë përfunduar me sukses programe rehabilituese dhe trajnime profesionale në Teknologji Informative dhe Automekanik.
Sipas njoftimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), 10 të dënuar kanë përfunduar programin rehabilitues “Vendimmarrja Sociale”, pesë trajnimin në Teknologji Informative dhe katër të tjerë atë në drejtimin Automekanik.
Programi rehabilitues është realizuar nga zyrtarët socialë të qendrës, ndërsa trajnimet profesionale janë zhvilluar në bashkëpunim me Qendrat e Aftësimit Profesional në Prishtinë dhe Mitrovicë.
Certifikatat për pjesëmarrësit janë ndarë nga përfaqësues të Qendrës Korrektuese në Smrekonicë, Qendrës së Aftësimit Profesional në Mitrovicë dhe zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Drejtori i Qendrës Korrektuese në Smrekonicë, Avni Miftari, ka shprehur mirënjohje për Qendrat e Aftësimit Profesional në Prishtinë dhe Mitrovicë për bashkëpunimin dhe kontributin në realizimin e trajnimeve.
Sipas SHKK-së, këto programe synojnë rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të dënuar, duke u mundësuar atyre zhvillimin e aftësive sociale dhe profesionale, si dhe krijimin e mundësive më të mira për punësim pas përfundimit të vuajtjes së dënimit.























