Peja dhe Indio e Kalifornisë nisin procedurat për binjakëzim
BKT
Kosovë

Peja dhe Indio e Kalifornisë nisin procedurat për binjakëzim

K. K. /RTKlive

Komuna e Pejës ka nisur procedurat për binjakëzimin me qytetin e Indios, në shtetin e Kalifornisë, SHBA, me synimin për të krijuar një partneritet të qëndrueshëm në fusha të ndryshme të bashkëpunimit.

Në kuadër të këtij procesi, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, priti në takim zyrtar një delegacion nga qyteti i Indios, të përbërë nga Glenn A. Miller, anëtar i Këshillit të Qytetit të Indios, Matthew McLeroy, president i Rotary Club Indio Sunrise, si dhe Jason Jackson, president dhe CEO i Southwest Protective Services, Inc.

Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy qyteteve, veçanërisht në fushën e zhvillimit ekonomik, kulturës, turizmit, arsimit dhe shkëmbimit të përvojave institucionale.

Binjakëzimi pritet të hapë rrugë për projekte të përbashkëta dhe mundësi të reja bashkëpunimi, duke forcuar lidhjet ndërmjet Pejës dhe komunitetit shqiptar e amerikan në Kaliforni.

Përmes këtij partneriteti, Peja synon të zgjerojë rrjetin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe të promovojë potencialet e saj në arenën ndërkombëtare.


MË SHUME NGA Kosovë