Komunat diskutojnë zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit
A.B/RTKLive
Nënkryetari i Komunës së Shtimes, Adnan Ademi, ka marrë pjesë në tryezën e diskutimit me përfaqësuesit e pushtetit lokal të regjionit të Ferizajt, ku është trajtuar niveli i zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga institucionet komunale.
Në këtë takim, të organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit, në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë, u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përmbushjen e obligimeve ligjore e kushtetuese të komunave në trajtimin e kërkesave të Avokatit të Popullit, të cilat burojnë nga ankesat e qytetarëve.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, theksoi se përgjigjja ndaj kërkesave të këtij institucioni përbën obligim ligjor dhe kushtetues për autoritetet publike, duke nënvizuar se ankesat e qytetarëve lidhen drejtpërdrejt me të drejtat dhe jetën e tyre.
Ndërkaq, drejtori i Qendrës Rajonale në Gjilan nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, Igli Totozani, vlerësoi rëndësinë e tryezave të tilla në fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe në identifikimin më të mirë të sfidave me të cilat përballen qytetarët, duke ritheksuar përkrahjen e vazhdueshme të OSBE-së për institucionet e Kosovës.
"Përfaqësuesit e komunave pjesëmarrëse vlerësuan rëndësinë e këtij takimi dhe theksuan se një pjesë e rekomandimeve të Avokatit të Popullit tashmë janë zbatuar, ndërsa pritet të përcillet edhe një pasqyrë më e plotë e punës dhe angazhimeve institucionale në këtë drejtim", njofton Komuna e Shtimes.























