Reshjet e dendura të shiut shkaktojnë bllokime rrugësh dhe dëme në Kosovë /Video
Valjete Shala /RTK
Reshjet e dendura të shiut mbrëmë dhe sot kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin rrugor në disa pjesë të Kosovës, ndërsa në Prishtinë janë bllokuar përkohësisht edhe disa nënkalime. Probleme dhe dëme materiale janë raportuar edhe në Junik e Deçan. Instituti Hidrometeorologjik paralajmëron reshje shiu edhe në ditët në vijim.
Si pasojë e reshjeve, nënkalimi pranë Stacionit të Autobusëve në Prishtinë ishte vështirë i kalueshëm edhe gjatë ditës së shtunë. Sasia e madhe e ujit krijoi vështirësi në qarkullimin e automjeteve, duke shkaktuar edhe pritje në trafik.
Probleme u raportuan edhe në një nënkalim tjetër, në lagjen Dardania, ku gjatë orëve të mëngjesit u raportua bllokimi i tij, duke pamundësuar qarkullimin.
Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë, Lulzim Fushtica, tha se në kryeqytet nuk janë raportuar dëme të mëdha, ndërsa shtoi se ekipet përgjegjëse kanë intervenuar në disa pjesë të qytetit.
“Dëme nuk ka pasur, por kemi pasur probleme me disa rrugë ku zakonisht kemi probleme gjatë reshjeve të mëdha. Një është rruga magjistrale, pra që vjen nga Mitrovica, përshkon kryeqytetin te Stacioni i Autobusëve, pra te qendra tregtare ‘Dardha’, dhe vazhdon më tutje. Ajo është rrugë magjistrale që është në kompetencë të ministrisë. Dhe ajo rrugë ka qenë e bllokuar dhe sot në mëngjes kemi marrë edhe informata nga Policia e Kosovës për këtë problematikë. Kemi pasur edhe në rrugën ‘Agim Ramadani’”, tha ai.
Ndërkohë, Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se edhe në ditët në vijim do të ketë reshje shiu.
“Ditët e tjera do të kemi sërish shi, por temperaturat maksimale nuk do të kalojnë 16 gradë Celsius. Parashihet të kemi edhe intervale me diell. Për momentin, situata meteorologjike është stabile”, theksoi ai.
Si pasojë e reshjeve të shiut dhe erës, janë raportuar edhe dëme materiale. Në disa zona janë rrëzuar shtylla elektrike dhe lisa përgjatë rrugëve kryesore, duke shkaktuar probleme të tjera. Ndër komunat më të prekura janë raportuar Juniku dhe Deçani.
Megjithatë, gjatë ditës së shtunë, situata ishte më e qetë dhe më e menaxhueshme.
Në fillim të janarit të këtij viti, disa komuna të Kosovës u përballën me përmbytje si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, të cilat shkaktuan dëme të mëdha për banorët.























