Islami: Deklarata e Drecunit tregon përpjekjet e Beogradit për ndikim politik në Kosovë
N.M. /RTKlive
Profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami, ka vlerësuar se deklarata e kryesuesit të Komisionit Parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri në Serbi, Milovan Drecun, për vazhdimin e mbështetjes së Listës Serbe nga Lista Studentore, tregon përpjekjet e Beogradit për të ruajtur ndikimin politik në Kosovë.
Në një reagim publik, Islami ka thënë se Drecun, duke kërkuar vazhdimin e bashkëpunimit me Listën Serbe edhe në rast të ardhjes së Listës Studentore në pushtet në Serbi, synon ta paraqesë këtë parti si përfaqësuesen e vetme legjitime të komunitetit serb në Kosovë.
Sipas Islamit, kjo qasje paraqet vazhdimësi të politikës së Beogradit ndaj Kosovës dhe duhet të analizohet edhe nga këndvështrimi i sigurisë kombëtare, për shkak të ndikimit politik dhe rrezikut të veprimeve subverzive e hibride.
Ai ka vlerësuar se Lista Serbe është instrumentalizuar për qëllime politike të Beogradit, duke krijuar pengesa për funksionimin institucional dhe integrimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës.
Islami ka paralajmëruar se vazhdimi i kësaj strategjie paraqet rrezik për sovranitetin, rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës.























