Kamenicë, prezantohet udhëzuesi për Prokurim Publik Strategjik
BKT
Kosovë

Kamenicë, prezantohet udhëzuesi për Prokurim Publik Strategjik

Sh.G|RTKlive

Komuna e Kamenicës ka prezantuar udhëzuesin për Prokurim Publik Strategjik, në kuadër të bashkëpunimit me organizatën RE-Act Lab, të formalizuar përmes Memorandumit të Mirëkuptimit.

Në takimin ku u prezantua udhëzuesi morën pjesë kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Kamenicës, Arbnore Beqiraj-Fera, si dhe drejtorë e zyrtarë komunalë.

Prokurimi Publik Strategjik synon të sjellë një qasje më të gjerë në shpenzimin e parasë publike, duke përfshirë krahas kritereve ekonomike edhe ato mjedisore, sociale dhe inovative. Përmes kësaj qasjeje, gjatë vlerësimit të ofertave nuk do të merret parasysh vetëm çmimi, por edhe ndikimi afatgjatë i investimeve dhe shërbimeve në mjedis, shoqëri dhe zhvillimin ekonomik lokal.

Gjatë takimit është diskutuar për rëndësinë e zbatimit praktik të këtij modeli, mundësitë që ai ofron për institucionin, si dhe rolin e drejtorive komunale në identifikimin e nevojave dhe përfshirjen e kritereve strategjike në procedurat e ardhshme të prokurimit.

Sipas Komunës së Kamenicës, përmes këtij mekanizmi synohet të rritet efikasiteti në shpenzimin e buxhetit publik, të përmirësohet cilësia e investimeve dhe shërbimeve dhe të sigurohet që paratë e taksapaguesve të shndërrohen në vlerë sa më të madhe për qytetarët.

Bashkëpunimi me RE-Act Lab konsiderohet një mundësi për avancimin e praktikave institucionale dhe ndërtimin e një kulture më të qëndrueshme të planifikimit dhe menaxhimit të parasë publike, me interesin e qytetarëve në qendër të vendimmarrjes.


MË SHUME NGA Kosovë