Arrestohet polici në Ferizaj për bixhoz të paligjshëm dhe armë
BKT
Kronika

Arrestohet polici në Ferizaj për bixhoz të paligjshëm dhe armë

Sh.Ç/RTKlive

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka arrestuar një zyrtar policor nga Stacioni Policor në Ferizaj, nën dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme, përfshirë organizimin e bixhozit të paligjshëm, skemat piramidale dhe posedimin e paautorizuar të armëve.

Arrestimi është kryer një ditë më parë, pas veprimeve hetimore të zhvilluara në koordinim me Prokurorinë e Shtetit. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Në kuadër të hetimeve, hetuesit e IPK-së kanë realizuar bastisje në shtatë lokacione të ndryshme, ku kanë sekuestruar dy armë të shkurtra, një armë të gjatë të gjuetisë, dy thika, si dhe municion të llojeve të ndryshme.

Sipas dyshimeve fillestare, zyrtari policor, jashtë detyrës zyrtare, gjatë vitit 2026 ishte përfshirë në organizimin e bixhozit të paligjshëm përmes platformave online. Po ashtu, dyshohet se kishte poseduar një armë të gjatë të tipit Kallashnikov, të cilën më pas ia kishte shitur një personi tjetër.

Në lidhje me këtë rast, janë intervistuar edhe gjashtë qytetarë, të dyshuar për veprën penale të shitblerjes së armëve. Ndaj tyre, hetimet do të vazhdojnë në procedurë të rregullt.

Ndërkohë, në bazë të autorizimeve ligjore dhe në interes të hetimit, IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e zyrtarit të arrestuar.

Inspektorati Policor i Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit dhe ndërmarrjes së veprimeve të mëtejshme ligjore.


MË SHUME NGA Kronika