Shqipëria mikpret konferencën rajonale të shefave të shtabeve të përgjithshme
A.B/RTKLive
Shqipëria mikpriti Konferencën e 14-të të shefave të Shtabit të Përgjithshëm të vendeve anëtare të Nismës Rajonale për Bashkëpunimin në Mbrojtje (DECI – Defence Cooperation Initiative), e organizuar nën kujdesin e veçantë Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë.
Të pranishëm në këtë konferencë ishin Presidenti i Republikës dhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Bajram Begaj; ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi; shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerallejtënant Arben Kingji; zëvendësshefi i Shtabit të Mbrojtjes së Italisë, gjenerallejtënant Luigi Del Bene; shefat e shtabit të përgjithshëm të vendeve pjesëmarrëse në këtë nisëm si Austria, Hungaria, Rumania, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Sllovenia; komandantë nga misione dhe institucione ndërkombëtare etj.
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ushtarak dhe koordinimit rajonal përballë sfidave të reja të sigurisë ndërkombëtare.
Sipas tij, siguria nuk mund të garantohet vetëm përmes përpjekjeve kombëtare, por kërkon bashkëpunim, koordinim dhe veprim të përbashkët.
Nufi ka nënvizuar se bashkëpunimi ndërmjet vendeve anëtare duhet të përkthehet në rezultate konkrete, përmes ndërveprueshmërisë më të madhe, planifikimit të koordinuar, stërvitjeve të përbashkëta dhe edukimit ushtarak.
Duke folur për kontributin e Shqipërisë në misionet e drejtuara nga NATO-ja dhe ato shumëkombëshe, përfshirë KFOR-in në Kosovë, Nufi ka theksuar se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është i lidhur ngushtë me sigurinë e hapësirës euroatlantike.
“Ballkani Perëndimor nuk ndodhet në periferi të sigurisë evropiane. Ai është pjesë përbërëse e saj”, ka thënë Nufi.
Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka bërë të ditur se DECI është krijuar me iniciativën e Italisë dhe aktualisht përfshin nëntë vende pjesëmarrëse.
Qëllimi i kësaj nisme është forcimi i stabilitetit rajonal dhe zhvillimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve anëtare përmes pjesëmarrjes në operacione ndërkombëtare, projekteve të përbashkëta në fushën ushtarake, si dhe aktiviteteve të trajnimit dhe edukimit.






















