Komandanti i KFOR-it informon vendet e DECI-t për situatën e sigurisë në Kosovë
BKT
Lajme

Komandanti i KFOR-it informon vendet e DECI-t për situatën e sigurisë në Kosovë

A.B/RTKLive

Në takimin e 14-të të Nismës për Bashkëpunim në Mbrojtje (DECI), të shefave të mbrojtjes, të mbajtur sot në Tiranë, komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, gjeneralmajor Roberto Vergori, i informoi vendet anëtare të DECI-t për rolin e misionit në promovimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

Komandanti i KFOR-it paraqiti një pasqyrë të situatës aktuale të sigurisë në Kosovë, si dhe të aktiviteteve të përditshme të misionit, duke theksuar se ato bazohen në prioritetet e tij të reja operacionale.

Ai bëri të ditur se KFOR-i po vazhdon të optimizojë pozicionimin e forcave për të siguruar që misioni të mbetet i përshtatshëm për përmbushjen e detyrave të tij. Ai shtoi se ky proces është gradual dhe bazohet në kushtet në terren, si dhe mund të kthehet në gjendjen e mëparshme nëse zhvillimet që mund të ndikojnë negativisht në sigurinë afatgjatë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal e bëjnë të nevojshme një gjë të tillë.

Gjeneralmajor Vergori ritheksoi se KFOR-i mbetet i përqendruar në zbatimin e mandatit të tij afatgjatë, të bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe të lirisë së lëvizjes.

"KFOR-i e kryen këtë detyrë në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse si institucione përgjegjëse për reagimin ndaj çështjeve të sigurisë", njofton KFOR.

DECI, e themeluar në vitin 2012 nën udhëheqjen e Italisë, është një mekanizëm rajonal për bashkëpunim strategjik dhe ushtarak ndërmjet vendeve të rajonit të Adriatikut dhe Ballkanit Perëndimor. Ajo ofron një platformë për diskutimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë, forcimin e bashkëpunimit dhe promovimin e qasjeve të përbashkëta në mbështetje të stabilitetit rajonal.


MË SHUME NGA Lajme