Gjini: Rriten borxhet e familjeve në Kosovë
Sh.Ç/RTKlive
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka ngritur shqetësimin për rritjen e ndjeshme të kredive të ekonomive familjare në Kosovë, duke vënë në pah edhe barrën financiare që po rëndon mbi qytetarët.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Gjini ka prezantuar të dhëna të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), sipas të cilave vlera e kredive të ekonomive familjare është rritur nga 1.315 miliardë euro në janar të vitit 2021, në 3.546 miliardë euro në shtator të vitit 2026.
Kjo përfaqëson një rritje prej 169.6 për qind, apo më shumë se 2.2 miliardë euro në vlerë absolute.
Shqetësues, sipas Gjinit, është edhe niveli i ngarkesës së huamarrësve me detyrime kreditore. Ai ka theksuar se 29.2 për qind e huamarrësve të analizuar shpenzojnë të paktën gjysmën e të ardhurave mujore për shlyerjen e kredive.
Sipas të dhënave të publikuara, 17.7 për qind e tyre ndajnë nga 50 deri në 75 për qind të të ardhurave për pagesën e kësteve, ndërsa 11.5 për qind kanë detyrime që arrijnë ose tejkalojnë 75 për qind të të ardhurave mujore.
“Kur një pjesë kaq e madhe e të ardhurave shkon për këste kredie, sa para i mbeten qytetarit për ushqim, rrymë, barna dhe nevojat e fëmijëve?”, ka shkruar Gjini.
Ai ka theksuar se rritja e kreditimit mund të shpjegohet edhe me investimet në patundshmëri dhe nevoja të tjera zhvillimore. Megjithatë, sipas tij, mbetet e rëndësishme të kuptohet se sa qytetarë po marrin kredi për investime dhe sa prej tyre po detyrohen të huazojnë për të përballuar shpenzimet e përditshme dhe koston në rritje të jetesës.
Në fund të reagimit, Gjini ka kërkuar më shumë vëmendje institucionale ndaj kostos së jetesës, fuqisë blerëse dhe sigurisë financiare të familjeve në Kosovë.
Ai ka vlerësuar se rritja ekonomike nuk duhet të matet vetëm përmes treguesve makroekonomikë, por edhe përmes ndikimit të saj në mirëqenien dhe standardin real të jetesës së qytetarëve.






















