Fetoshi: Lista Studentore vazhdon politikën e Vuçiqit ndaj Kosovës dhe rajonit
Sh.Ç/RTKlive
Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka kritikuar programin politik të Listës Studentore në Serbi, duke vlerësuar se ai nuk paraqet ndryshim të orientimit gjeopolitik të vendit, por vazhdimësi të politikave të ndjekura gjatë pushtetit të Aleksandar Vuçiqit.
Në një analizë të publikuar në Facebook, Fetoshi thekson se, pavarësisht pretendimeve për transformim demokratik të Serbisë, programi i Listës Studentore ruan të njëjtat qëndrime për Kosovën, Rusinë, Kinën, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Programi politik i Listës Studentore me të cilin pretendon transformimin demokratik të Serbisë, nuk përmban asnjë ndryshim në orientimet e politikës së jashtme”, ka shkruar Fetoshi.
Sipas tij, zotimet për “neutralitetin ushtarak”, kundërshtimin e sanksioneve ndaj Rusisë, partneritetin strategjik me Kinën dhe ruajtjen e qëndrimit ndaj Kosovës dëshmojnë përputhshmëri me politikat e qeverive të mëparshme serbe.
Duke iu referuar qëndrimeve të Listës Studentore për Kosovën, Fetoshi thekson se programi përsërit narrativën e vjetër të Beogradit për sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë.
“Do të luftojmë për ruajtjen e Kosovës dhe Metohisë si pjesë e Serbisë, në përputhje me Kushtetutën dhe Rezolutën 1244”, citon Fetoshi një nga zotimet e programit të Listës Studentore.
Ai vlerëson se ky qëndrim nuk përbën vetëm vazhdimësi të politikës së mëparshme, por edhe ashpërsim të qasjes ndaj marrëveshjeve të dialogut të Brukselit.
Sipas Fetoshit, Lista Studentore paralajmëron edhe shqyrtimin e marrëveshjeve të arritura nga përfaqësuesit e mëparshëm të Serbisë, duke vënë në pikëpyetje zbatimin e zotimeve të marra në dialog.
Në analizën e tij, Fetoshi vë në pah edhe qëndrimin e Listës Studentore ndaj Moskës, duke theksuar se programi parasheh vazhdimin e partneritetit tradicional me Rusinë dhe refuzimin e vendosjes së sanksioneve.
“Serbia do të mbajë qëndrimin parimor për mosvënie të masave kufizuese ndaj Rusisë, por edhe për respektimin e integritetit territorial të shteteve sovrane, përfshirë Ukrainën”, citohet të thuhet në programin e Listës Studentore.
Fetoshi thekson se kjo qasje është në vazhdën e politikave të qeverive të mëparshme të Vuçiqit, Vuçeviqit dhe Macutit.
Ndërkohë, sa i përket Kinës, ai vlerëson se Lista Studentore synon të ruajë partneritetin strategjik, veçanërisht në ekonomi, infrastrukturë dhe teknologji, pa e vënë në pikëpyetje marrëdhënien e ndërtuar gjatë viteve të fundit.
Një tjetër çështje e ngritur nga Fetoshi është qasja ndaj Bashkimit Evropian. Sipas tij, programi i Listës Studentore e trajton BE-në kryesisht si partner ekonomik dhe financiar, duke mos e vendosur integrimin evropian si objektiv të qartë strategjik.
Ai vëren se programi parasheh thellimin e bashkëpunimit me institucionet financiare evropiane, përfshirë Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankën Evropiane të Investimeve, për sigurimin e granteve dhe mbështetjes financiare.
Sipas Fetoshit, ky orientim dëshmon se Bashkimi Evropian shihet më shumë si burim investimesh dhe përfitimesh ekonomike sesa si përcaktim i mirëfilltë politik dhe gjeopolitik.
Fetoshi vlerëson se edhe zotimi për vazhdimin e dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara nuk përbën dëshmi të një ndryshimi të orientimit të Serbisë.
“Do t’i zhvillojmë marrëdhëniet me SHBA-në bazuar në interesat e përbashkëta dhe besimin më të madh. Do ta vazhdojmë dialogun strategjik për telekomunikacionin, energjetikën, transportin, inteligjencën artificiale, diversifikimin e furnizimit me gaz dhe LNG-në, si dhe bashkëpunimin në mbrojtje”, citon ai programin.
Sipas tij, bashkëpunimi me Washingtonin mbetet i kufizuar në interesat ekonomike, energjetike dhe strategjike, pa shoqëruar këtë qasje me ndryshim të qëndrimit ndaj Kosovës apo me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Në përfundim të analizës, drejtori i Institutit “Octopus” vlerëson se ndryshimi i mundshëm politik në Serbi nuk garanton demokratizim të mirëfilltë, nëse nuk shoqërohet me heqjen dorë nga ambiciet hegjemoniste dhe politikat revizioniste në Ballkan.
“Prandaj, Lista që e rrëzoi Vuçiqin në Serbi është veçse një ‘alter ego’ e Listës Serbe në Kosovë, e cila do ta vazhdojë politikën revizioniste për aq kohë sa do të vazhdojë të ‘tolerohet’, dhe do ta mbajë peng demokratizimin e vërtetë të Serbisë, për aq kohë sa nuk heq dorë nga ambiciet e saj shoviniste në Ballkan”, ka përfunduar Fetoshi.






















