Sekuestrohen 390 fishekë dhe dy armë në Merdarë
Sh.Ç/RTKlive
Një shofer autobusi është kapur me 150 fishekë në valixhe gjatë një kontrolli të Policisë dhe Doganës së Kosovës në Medarë, ndërsa gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur edhe 240 fishekë të tjerë, një pistoletë dhe një pushkë gjuetie, të dyja me leje.
Njësitë policore, në bashkëpunim me zyrtarët e Doganës së Kosovës, gjatë kontrollit të një autobusi kanë gjetur dhe sekuestruar 50 fishekë për pushkë gjuetie dhe 100 fishekë me gaz, të cilët ishin në valixhen e shoferit.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, shoferi, mashkull, gjatë intervistimit ka deklaruar se fishekët i kishte blerë në një dyqan në Itali.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit dhe kontrollin e shtëpisë së të dyshuarit.
Gjatë kontrollit në shtëpi, i dyshuari ka dorëzuar një pistoletë me leje, një pushkë gjuetie me leje, si dhe 240 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Në konsultim me prokurorin kujdestar, pas inicimit të rastit, i dyshuari është liruar, ndërsa rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me rastin.






















