Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen në Suahrekë
E.Hoti/RTKlive
Gjykata Themelore në Prizren ka bërë të ditur se i ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarit për vrasjen e rëndë që ndodhi të enjten parkingun e një qendre tregtare në Suharekë.
Sipas njoftimit, paraburgimi për RR.H. është caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale vrasja e rëndë dhe se me dashje ka vënë në rrezik jetën e një ose më shumë personave tjerë si dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 18 nëntor 2026, rreth orës 12:03 min, në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë. I pandehuri RR.H., pas një mosmarrëveshjeje të çastit lidhur me parkimin e automjeteve, me dashje ka privuar nga jeta viktimën S.D., si dhe me dashje ka vënë në rrezik edhe jetën e bashkëshortes së viktimës dhe vajzës së tyre të mitur, të cilat ishin prezente në momentin e ngjarjes”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se i pandehuri duke përdorur armën e zjarrit të llojit “Sig Sauer” ka shtënë disa herë në drejtim të viktimës, fillimisht përmes xhamit të automjetit dhe më pas duke vazhduar të shtjerë në drejtim të tij, edhe pasi kishte hapur dyert e automjetit, duke e qëlluar në pjesë të ndryshme të trupit.
“Si pasojë e plagëve të marra, viktima, pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore në QKMF në Suharekë, është dërguar për trajtim të mëtejmë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku nga ana e mjekëve është konstatuar vdekja e tij. Pas kryerjes së veprës, i pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa më pas është lokalizuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës”, thuhet në njoftim.






















