Një muaj paraburgim për të dyshuarin që sulmoi dy punonjës të gjykatës në Gjilan
BKT
Kronika

Një muaj paraburgim për të dyshuarin që sulmoi dy punonjës të gjykatës në Gjilan

E.Hoti/RTKlive

Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit me inicialet S.K., i dyshuar për sulm ndaj personave zyrtarë.

Sipas njoftimit të gjykatës, rasti ka ndodhur më 17 nëntor 2026, rreth orës 14:00, në rrugën “Martirët e Gjilanit”, në lagjen Zabeli.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, dy shpërndarës të Gjykatës Themelore në Gjilan, Zh.S. dhe R.J., ishin ndalur me veturë për të gjetur një adresë dhe një person me inicialet L.K.

Në atë moment, njëri nga të dëmtuarit e kishte pyetur të pandehurin nëse e njihte personin në fjalë, ndërsa ky i fundit dyshohet se ishte afruar te vetura dhe e kishte sulmuar me grushte.

Kur kolegu i tij kishte dalë nga vetura për ta ndaluar sulmin, edhe ai ishte goditur me grusht në kokë.

Si pasojë, njëri nga të dëmtuarit kishte pësuar lëndime të lehta trupore dhe kishte kërkuar ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan.

Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, duke konsideruar se masat e tjera alternative nuk do të ishin të mjaftueshme për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale.

I pandehuri dyshohet për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”. 


MË SHUME NGA Kronika