Dyshohet se ushtroi dhunë ndaj gruas dhe axhës së saj, paraburgim për burrin
BKT
Kronika

Dyshohet se ushtroi dhunë ndaj gruas dhe axhës së saj, paraburgim për burrin

K. K. / RTKlive

Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar një muaj paraburgim ndaj një të dyshuari, me inicialet A.K., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Dhuna në familje” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”.

Sipas Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 21 nëntor, rreth orës 02:00, në fshatin Lipovec të Gjakovës, ku i dyshuari dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, si dhe e ka kërcënuar me vrasje.

Po ashtu, sipas njoftimit të Gjykatës, i dyshuari dyshohet se ka sulmuar me thikë axhën e bashkëshortes, duke e goditur në fytyrë dhe dorë, si pasojë e së cilës i është prerë një gisht. Masa e paraburgimit është caktuar për periudhën 21 nëntor deri më 21 dhjetor 2026, ndërsa palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

KOMUNIKATË PËR MEDIA

Gjakovë, 23 nëntor 2026

Gjykata Themelore në Gjakovë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj dy të pandehurit F.K., shtetas të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Dhuna në familje”, si dhe veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”, të dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas kërkesës së prokurorisë, ndër të tjera, ceket se më 21.11.2026, rreth orës 02:00, në fshatin Lipovec, Komuna e Gjakovës, në shtëpinë e mikut të tij, i pandehuri, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, të dëmtuarës F.K., me qëllim të cenimit të dinjitetit të saj, duke i shkaktuar frikë dhe shqetësim emocional, pasi më 18.11.2026, për shkak të mosmarrëveshjeve me të pandehurin, ajo kishte shkuar te familja e saj, ku po atë ditë kishte pranuar një mesazh zanor nga i pandehuri, i cili e kishte kërcënuar me fjalët: „O ku je, o kom me të myt, po ku je“, ndërsa ditën kritike, në orët e para të mëngjesit, i pandehuri kishte shkuar në shtëpinë e të dëmtuarës dhe, duke bërtitur, i kishte kërkuar të dilte dhe të hipte në veturë, kinse për të biseduar, ndonëse ajo kishte frikë për jetën e saj; po ashtu, me të njëjtën datë, kohë dhe vend, i pandehuri, me dashje dhe me mjet të rrezikshëm, përkatësisht thikë, i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit axhës së bashkëshortes së tij F.Gj., në atë mënyrë që, pasi ky i fundit kishte dalë për të biseduar me të, i pandehuri, në momentin kur ai kishte hapur derën, e kishte sulmuar me thikë në fytyrë dhe, kur i dëmtuari kishte ngritur dorën për t'u mbrojtur, e kishte goditur edhe në dorën e majtë, duke ia prerë gishtin e katërt, me ç'rast i kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore, të përshkruara në Raportin mjekësor të Shërbimit Urgjent të Spitalit “Isa Grezda“ në Gjakovë.

Gjyqtarja e procedurës paraprake, Blerina Kurtaj, dje pas mbajtjes së seancës dëgjimore ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.

Me këtë vendim, i pandehurit A.K., do të mbahen në paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaji, periudhë kjo që do të llogaritet nga data e arrestimit me 21 nëntor 2026 deri më 21 dhjetor 2026.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.


MË SHUME NGA Kronika