Deçani shënon Ditët e Kulturës Japoneze, promovohen miqësia dhe bashkëpunimi Kosovë–Japoni
BKT
Kosovë

Deçani shënon Ditët e Kulturës Japoneze, promovohen miqësia dhe bashkëpunimi Kosovë–Japoni

Islam Haxhiu / RTK

Në organizim të Komunës së Deçanit dhe Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), në Qendrën Rinore “Fetnete Ramosaj” në Deçan, janë shënuar “Ditët e Kulturës Japoneze”.

Përfaqësuesit e Ambasadës së Japonisë në Kosovë thanë se ishte nder dhe kënaqësi e madhe të bashkoheshin në këtë manifestim të organizuar në Deçan për të festuar Ditët e Kulturës Japoneze. Sipas tyre, angazhimi i Japonisë për zhvillimin e Komunës së Deçanit dhe Kosovës në përgjithësi pasqyrohet më së miri përmes angazhimeve dhe projekteve të vazhdueshme, nëpërmjet bashkëpunimit të ndërsjellë dhe njohjes reciproke të dy kulturave.

“Deçani nuk është vetëm një qytet me kulturë të pasur dhe mikpritje të ngrohtë, por edhe një vend ku partneriteti mes Kosovës dhe Japonisë po rritet në mënyrë aktive përmes organizimeve konkrete”, thanë ata.

Ndërkaq, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, pasi falënderoi shtetin e Japonisë për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, vlerësoi lart rëndësinë e organizimeve të tilla në promovimin e kulturës, shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e miqësisë ndërmjet dy popujve.

Ramosaj tha se Komuna e Deçanit shpreh mirënjohje për JICA Alumni Asociacionin e Kosovës (JAAK), Ambasadën e Japonisë në Kosovë, organizatorët dhe të gjithë pjesëmarrësit për realizimin e këtij aktiviteti të veçantë.

Gjatë këtij aktiviteti, pjesëmarrësit patën mundësi që, përmes kaligrafisë japoneze, punimeve artistike, ekspozitës dhe demonstrimit të arteve marciale, të njiheshin nga afër me kulturën japoneze.

Programi u pasurua edhe me këngë e valle tradicionale shqiptare nga nxënësit deçanas.


MË SHUME NGA Kosovë