Dogana zbulon parregullsi në deklarimin e mallrave në Vërmicë
BKT
Kronika

Dogana zbulon parregullsi në deklarimin e mallrave në Vërmicë

G.K/RTKlive

Dogana e Kosovës ka zbuluar deklarim të pasaktë të mallrave në vlerë rreth 3,400 euro në terminalin doganor në Vërmicë, pas dyshimeve për klasifikim të pasaktë tarifor, duke konstatuar se mallrat kërkonin licencë importi.

Sipas Doganës, gjatë kontrollit dokumentar të mallrave të deklaruara nga një operator ekonomik, zyrtarët doganorë kanë identifikuar dyshime për klasifikim të pasaktë tarifor.

Për shkak të dyshimeve të ngritura, mallrat janë ndaluar në terminalin doganor në Vërmicë për t'iu nënshtruar kontrollit fizik.

“Pas përfundimit të kontrollit fizik, është konstatuar se mallrat kanë klasifikim tjetër, përkatësisht klasifikimin e saktë tarifor, i cili parasheh detyrimin për pajisje me licencë importi”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Vlera e mallrave, pa përfshirë detyrimet e importit, është rreth 3,400 euro.

Dogana ka bërë të ditur se, në bazë të Kodit Doganor dhe të Akcizave, veprimi i operatorit ekonomik përbën kundërvajtje doganore për deklarim të pasaktë të mallrave, për të cilën do të ndërmerren veprimet përkatëse ligjore.

Dogana e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që, në rastet kur kanë paqartësi apo dyshime lidhur me klasifikimin e saktë tarifor të mallrave që planifikojnë të importojnë, t'i drejtohen paraprakisht Doganës së Kosovës për informata dhe sqarime përkatëse.

Sipas Doganës, ky veprim ndihmon në shmangien e parregullsive gjatë procedurave të importit dhe siguron zbatimin e drejtë të legjislacionit doganor. 


MË SHUME NGA Kronika