Afati për apelimin e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së përfundon nesër
Donika Sherifi /RTK
Vetëm edhe një ditë ka mbetur deri në përfundimin e afatit për njoftimin e apelimit të aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Ekipet mbrojtëse kanë paralajmëruar se do ta kundërshtojnë aktgjykimin në Gjykatën e Apelit, duke i cilësuar dënimet të padrejta dhe duke pretenduar se gjatë procesit ka pasur parregullsi.
Edhe Prokuroria e Specializuar kishte paralajmëruar mundësinë e apelimit, por ende nuk ka bërë të ditur nëse do ta kundërshtojë vendimin.
Pas njoftimit për apelim, palët do të kenë mundësi t'i paraqesin argumentet e tyre me shkrim. Ndërkaq, Gjykata e Apelit do t'i shqyrtojë pretendimet e palëve dhe ligjshmërinë e aktgjykimit, pa e përsëritur procesin gjyqësor në tërësi.
Sipas vlerësimeve të avokatëve, nëse respektohen afatet procedurale, vendimi i shkallës së dytë mund të merret në pranverën e vitit të ardhshëm.






















