Arrestohet një shtetas i huaj në Aeroport, dyshohet për falsifikim dokumentesh
RTKLive
Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetas të huaj në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, i dyshuari më 28 nëntor, rreth orës 06:00, gjatë udhëtimit kishte prezantuar pasaportën e shtetit të tij, së bashku me vizë dhe leje elektronike udhëtimi të një shteti tjetër.
Dokumentet dyshohet se ishin të falsifikuara dhe janë konfiskuar për procedura hetimore.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, në Koshuticë të Leposaviqit, rreth orës 21:00, janë shoqëruar në stacion policor një mashkull dhe një femër, të dy shtetas të Serbisë, pasi dyshohet se kishin kaluar ilegalisht kufirin.
Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, të dy janë liruar, ndërsa rasti vazhdon në procedurë të rregullt.






















