Çitaku kritikon Gjykatën Speciale: 2.356 dokumente nga Serbia u pranuan si prova në gjykim
N.M. /RTKlive
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka kritikuar Gjykatën Speciale për mënyrën e trajtimit të provave në procesin gjyqësor kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Çitaku ka thënë se rreth 2.356 dokumente të ardhura nga Serbia janë pranuar si prova në këtë proces, ndërsa ka ngritur pikëpyetje për mënyrën e verifikimit të tyre dhe mundësinë e mbrojtjes për t'i kundërshtuar.
Ajo ka kritikuar edhe faktin se, sipas saj, dëshmitë e zyrtarëve të lartë të NATO-s, SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe OKB-së nuk morën peshën e duhur në aktgjykimin e 16 shtatorit.
Çitaku ka ngritur shqetësime edhe për pranimin e 164 deklaratave me shkrim, pa mundësinë që mbrojtja t'i merrte në pyetje personat që i kishin dhënë, si dhe për pranimin e rreth 2.000 provave pasi prokuroria kishte përfunduar paraqitjen e rastit të saj.
Ajo ka kritikuar gjithashtu kufizimet që, sipas saj, u janë bërë ish-krerëve të UÇK-së në raport me takimet familjare, duke përmendur rastin e Hashim Thaçit, të cilit nuk iu lejua pjesëmarrja në varrimin e babait të tij.
Duke iu referuar edhe vendimeve në rastet e Pjetër Shalës dhe Salih Mustafës, Çitaku ka kërkuar analizë të pavarur të aktgjykimit të 16 shtatorit.
Ajo ka thënë se PDK-ja dhe institucionet e Kosovës do të vazhdojnë angazhimin për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, përmes ligjit për mbrojtjen e çlirimtarëve, strategjisë shtetërore për apel dhe lobimit ndërkombëtar.
"Do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë që e vërteta të triumfojë në apel", ka shkruar Çitaku.






















