28 Nëntori bashkon shqiptarët në Nürnberg të Gjermanisë
RTKLive
Mërgata shqiptare në Nürnberg të Gjermanisë ka shënuar me një manifestim madhështor festën e 28 Nëntorit – Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë.
Ky organizim kulturor, i përgatitur me përkushtim nga nxënësit dhe mësuesit e shkollave shqipe në bashkëpunim me Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH), mblodhi bashkatdhetarë të shumtë nga zonat e Nürnberg, Fürth, Roth, Schwabach, Neumarkt dhe Aschaffenburg.
Manifestimin e nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe mysafirë të lartë institucionalë: konsullja e Republikës së Shqipërisë, Mereme Suli, deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe anëtare e Komisionit për Arsim, Teuta Haxhiu, si dhe kryetari i LAPSH-it, Milazim Ukaj.
Programi i pasur kulturo-artistik u hap me himnin kombëtar dhe vijoi me recitime poetike, këngë patriotike dhe valle tradicionale të interpretuara nga nxënësit e shkollave shqipe dhe shoqata kulturore "Ilyrian" nga Bambergu, duke dëshmuar edhe një herë ruajtjen me fanatizëm të gjuhës, kulturës dhe traditës kombëtare në mërgatë.
Festa u përmbyll me një program argëtues muzikor me këngëtarët Mima Kastrati, Avni Gashi dhe Besnik Shuti.






















