Për herë të parë në Kosovë mbahet maratona e vrapimit në shtigjet malore
Për herë të parë në Kosovë do të mbahet maratona e vrapimit në shtigje malore ‘Prishtina Trail Marathon 2019’, e cila do të jetë me karakter ndërkombëtar. Ky aktivitet sportiv mbahet më 26 maj në parkun e Gërmisë dhe organizohet nga klubi i vrapimit “XTrailers – fun run”.
Përgatitjet për këtë garë janë duke u zhvilluar me dinamikë shumë të madhe nga vullnetarë dhe entuziastë të fushave të ndryshme. Fushata e regjistrimit të vrapuesve tashmë ka filluar dhe procesi i regjistrimit po vijon, e ku një numër i madh i vrapuesve janë edhe nga vendet e tjera.
‘Prishtina Trail Maraton’ është e regjistruar në International Trail Running Association (ITRA), derisa do të organizohet në katër kategori, për t’ i dhënë mundësi gjithkujt që të provojë veten në një garë rezistence, por pse jo edhe të fitojë. Në kategorinë “XTrailers Kids”, marrin pjesë fëmijët. Kjo kategori ka për qëllim të jetë më shumë rekreative dhe motivuese se sa garuese. Ndërsa, gara e vërtetë zhvillohet në 3 kategoritë e tjera Maratona (42 km), Gjysmë Maratona (21 km) dhe “XTrailers – fun run (10 km). Shtigjet e vrapimit janë mjaftë sfiduese të rrethuara me peisazhe të bukura të Gërmisë dhe përveç të apasionuarve pas vrapimit dhe sportit pritet të marrin pjesë edhe profesionistë. Në të gjitha kategoritë për tri vendet e para do të ndahen shpërblime si dhe shpërblime simbolike me ushqim dhe pije për të gjithë fëmijët pjesëmarrës.
Mjetet e fituara nga ky aktivitetet do të destinohen për shtimin e hapësirave të gjelbërta, dhe përmes kësaj do të ketë përfitime mjedisore dhe sociale. Gjithashtu pjesëmarrja e madhe do ketë edhe impakt ekonomik me theks në turizëm dhe promovimin e vlerave të Kosovës. Kjo ditë përveç një ngjarje sportive për garuesit, do të jetë edhe një ditë festive për qytetin, në të cilin do të organizohen aktivitete muzikore në shenjë falënderimi dhe përkrahje për pjesëmarrës me energji pozitive të cilët vijnë nga vende të ndryshme të botës. Afati për regjistrim do të jetë i hapur deri me 24 maj 2019.























