Drag Race, fundjavë festive për dashamirët e auto sportit
Gara më atraktive në automobilizmin kosovar, Drag Race, e para për këtë vit, do të mbahet gjatë kësaj fundjave në pistën e vjetër të aeroportit në Sllatinë.
Bazuar në interesimin për pjesëmarrje dhe traditën tashmë të krijuar, por edhe përmirësimin e vazhdueshëm të infrastrukturës, nuk ka asnjë dyshim se do të jetë një fundjavë festive për dashamirët e auto sportit.Federata e Auto Sportit e Kosovës, në bashkëpunim me të gjitha institucionet relevante, i ka marrë të gjitha masat që gara të ketë rrjedhën më të mirë të mundshme.
Veç garuesve të shumtë nga Kosova, do të ketë edhe shumë të tillë nga rajoni.Të shtunën nga ora 10:00-11:00 bëhet paraqitja në garë dhe pajisja me numra, pastaj vazhdohet me verifikimin e dokumentacionit dhe kontrollimin teknik, në mënyrë që në orën 13:00 të nisin vozitjet dy kualifikuese.
Të dielën, në orën 10:30 do të mbahet brifingu me garues dhe stafin menaxhues të garës, e cila zyrtarisht pritet të fillojë në orën 11:00.























