Guardiola: E kemi ndihmuar Liverpoolin, vendosim standarte si Usain Bolt
BKT
Sport

Guardiola: E kemi ndihmuar Liverpoolin, vendosim standarte si Usain Bolt

Pep Guardiola nuk lë rast pa falënderuar Liverpoolin me konkurrencën që po i bën Manchester Cityt të tij këtë sezon.

Sipas trajnerit të “qytetarëve”, është pikërisht rivaliteti me skuadrën e Jurgen Klopp ai që po e mban në tension skuadrën e tij në luftën për titull. City e ka në dorën e vet fatin e titullit dhe mund ta mbrojë sërish atë.

“Standardet që ne vendosëm sezonin e shkuar na detyrojnë që këtë sezon të jemi sërish pranë kufirit të 100 pikëve”, tha Guardiola gjatë konferencës për shtyp në vigjilje të transfertës së nesërme kundër Bernleyt.

“Ne e kemi ndihmuar Liverpoolin që të arrijë këtë nivel dhe ata na kanë ndihmuar ne. Liverpooli e di që për t’u shpallur kampion, duhet të fitojë shumë pikë. Sezoni i ardhshëm do të jetë edhe më i vështirë. Chelsea po do të përmirësohet, Unitedi gjithashtu. Totenhemi është aty. Nëse je 25 pikë përpara Unitedit dhe nëse dëshiron që të qëndrosh aty, atëherë duhet të përmirësosh  standardet. Sezonin e shkuar ne fituam shumë ndeshje. Ju e dini që kur fiton 100 pikë, atëherë rritet steka dhe të tjerët duhet ta arrijnë. Është si Usain Bolt (ish-sprinteri), Xhek Niklaus, Tajgër Uds (golfistët), e njëjta gjë. Unë do të firmosja për ta mbajtur këtë nivel pas asaj që kemi bërë. Por duhet të dimë se të tjerët janë në të njëjtin nivel, punojnë më fort, respektojnë kundërshtarët, kjo është e vetmja rrugë që unë njoh”, tha Guardiola, shkruan Panorama Sport.

REKORDI – Me dy golat në derbin e Manchesterit, kampionët u ngjitën në kuotën e 157 golave të shënuar këtë sezon në të gjitha kompeticionet. Skuadra e Guardiolës mund të fitojë ende tripletën këtë sezon në Angli dhe ai lavdëron karakterin që tregoi skuadra pas eliminimit nga Champions-i me Totenhemin.

“Unë nuk isha në dhomën e zhveshjes pas ndeshjes, por e ndjeva kënaqësinë e tyre pasi dolën jashtë. Mendoj se ata folën me njëri-tjetrin dhe kanë edhe një grup në ‘WhatsApp’. Kemi folur disa herë, 157 gola janë shumë. Ata i shënuan ato. Pa ata, nuk do t’i kishim shënuar dot”.